Kulturë

Xhevat Latifi fitues i çmimit të parë në Festivalin e Dytë Mbarëkombëtar të Poezisë “Muza Poetike Budiane”.

Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pjetër Budi” Mat zhvilloi në Burrel Festivalin e Dytë Mbarëkombëtar të Poezisë “Muza Poetike Budiane”. Nderuan me pjesëmarrje poete e poetë nga gjithë kombi shqiptar, këtej dhe andej kufirit, të cilët me stilin dhe talentin e tyre janë pjesë e nderuar e letërsisë sonë kombëtare. Poezitë e lexuara ishin të një niveli të lartë poetik dhe artistik, të çmuara nga forma e brendia, përmbajtja e motivi, figuracioni i pasur metaforik e stilistik, nga sintaksa e pasur dhe semantika origjinale krijuese. Poetët Agim Bajrami i Durrësit, Pëllumb Gorica nga Elbasani dhe Dan Ibrahimi nga Prishtina u vlerësuan me çmim të tretë. Çmimin e dytë e merituan poetët Nikolla Spathari nga Malësia e Madhe dhe Ramë Oraca nga Podujeva. Ndërsa fitues i çmimit të parë u shpall poeti nga Gjilani, Xhevat Latifi.

 

Ura për te ti

xhevat Latifi

M’duhesh si urë me lidh brigjet nyje

Me m’than me za lutës

ma lsho pak dorën ta përkdhel flokun

E më pas si lumë me u gjarpnue.

Diku n’kodra jeshile me lisa,

drenushat e egra

vellon e natës e bajnë flamur.

Flamur të atyre betejave ku një i plagosur,

lyp ujë me frymën e fundit.

Thu se me dashtë asht me u vetvra!

Çfarë kuptimi ka nata pa ty?

Si urë pa lumë,

si natë pa yje…

Si rosë shtegtare që ka humbë flotën

Pa çerdhe,pa dashnor,

pa miq !

Sall egërsira që presin me t’i lëshue

dhëmbët në mish.

Si gjuetar të dehur që gjuajnë përpjetë,

e duen me ba foto me prenë tuj qeshë

…e me gisht me prek plagën!

M’duhesh me kalue nga bregu n’breg

Me thy mitin e “Urës së Shenjtë”…

Se dashnia nuk mallkohet

nga kalimtari rastit, që rren se asht profet,

për me gurzue nji grua…

Një grua gjibardhë që ka përdore një fëmijë.

M’duhesh si urë me pre nyjen e këtij miti

Kurban na duhet djersa,ofshama.

Një këmishë e bardhë dhe një e kuqe.

Euu bre!

Ç’mu deshte kaq shumë?!

Me i ra lumit n’kambë

Si trofta me pika t’kuqe që thehet n’gurë me myshk

A si shqiponjë që sheh nga larg

Urën e bërë pikë ku takohen si në pasqyrë natën hana

e ditën nji zanë me flokë t’shprishun.

E m’thotë u desha

një trupi me ja dhanë frymën,

me ba urë dy shpinda,

me ecë borë mbi borë

si cub i dashuruem që nuk mërdhin…

Si mit i ramë në ujë

nga një kaproll që natën kalon lumin!

Fotografia e Klubi Letrar Budi

Fotografia e Klubi Letrar Budi