Kulturë

SIMBOLIKA E FLAMURIT DHE E HIMNIT KOMBETAR

SIMBOLIKA E FLAMURIT DHE E HIMNIT KOMBETAR

(Simboli kombëtar i shqiptarëve, himni, ka ndërlidhje te fuqishme me nje tjetër simbol kombëtar të tyre, flamurin. Kjo praktikë është e vecantë ne kulturen europiane).

Vehbi Miftari

“Pëlhura me shpendin e zi”, sikur e quante figurativisht Kadareja flamurin shqiptar, është përjetësuar në himn dhe kjo është ndërlidhja më e fuqishme e mundshme mes shpirtit të kombit dhe “kangës së kombit”, shprehjes, ose tingullit të parë të shtetit të shqiptarëve. Ndërsa i pari, flamuri, ishte shenja e parë e shtetit, i dyti, himni, ishte tingulli kryesor i tij.
Kjo ndërlidhje e fuqishme mes dy simbolesh, si dhe “himni” poetik që himni ia thur flamurit, është përvojë e pashprehur te kombet e tjera. Në dijeninë tonë, një ndërlidhje e tillë nyjëzore mes simboleve të kombit nuk shprehet gjetiu. Himni gjerman, “Deuschtland über alles”, ta zëmë, i kushtohet “homeland”-it gjerman, vendit të gjermanëve. Po kështu, edhe marsejeza franceze. Himni i Anglisë, ne anen tjeter, i thur lavde mbretëreshës. Por, sikur vërehet lehtësisht, asnjëri sish nuk i kushtohet një simboli kombëtar. Himni shqiptar, karshi tyre, është i ndryshëm, në kushtesën ndaj simboleve kombëtare, por është i ngjashëm në gjuhën motivuese.
Himni i krijuar prej Asdrenit ishte përpjekje e gjatë e tij për të dëshmuar lidhjen e pashkëputshme mes shpirtit e kângës, pra mes ndjenjës e shprehjes. Madje, si për rastësi, ai kishte krijuar një tjetër vjershë, të cilën e kishte titulluar pikërisht “Hymn kombëtar”, por e cila nuk shërbeu dot si “himn” (në kuptimin e ndjesisë dhe jo të formave letrare), as u zyrtarizua ndonjëherë si himn kombëtar, sado që teksti i kangës është i ngjashëm me atë të himneve kombëtare të kohës. Në të, shenja e tokës (homeland-i) ndërlidhet me shenjën e zotit (eternalja), atdhetaria me simbolet etnike, mbi të cilat kultivohet ndjenja e përkatësisë:

Përpara, djem, për fis’ e farë,
Për trollin shenjtë ku kemi le,
Me nder si burrat e më parë,
Të mprojmë flamur e atdhe!

Një tjetër vjershë kushtuar këtij simboli është poezia Flamuri kombëtar. Në të simboli kombëtar, flamuri, është mjet i dëshmimit të qëndresës epike. Ai është i lidhur me shpirtin e kombit dhe jeton brenda tij, madje i ripërtërin fuqitë brenda tij (por ty fama s’t është shuar). Simbolika e tij është e lidhur me shenja të tjera, të cilat e përbëjnë kujtesën e kombit. Kësisoj, fusha e kuqe e tij është zjarri që rri i ndezur përbrenda shpirtit të shqiptarit. Pra, ajo përfaqëson një ide motivuese për liri. Shqiponja, simboli identifikues i shqiptarëve, ndërkaq, është simbol i besnikërisë, e cila shpreh bashkudhëtarin e përhershëm në përpjekjet për liri.

Atë ditë që ti q’u shojte,
Larg shqiponja fluturoi,
Por sot jetën ti q’ e njojte
Ajo prap’ mbi ty qëndroi.

Poezia e shpreh një ndërlidhje të fuqishme mes shenjash etnosimboliste dhe synimeve të kombit. Fusha e zjarrtë (e kuqe) e flamurit dhe shqiponja, si bartëse e besnikërisë ndaj ideologjisë së kombit, janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Së bashku, ndërkaq, ato krijojnë etnosimbolikën motivuese drejt përbashkimit.
Lidhjen mes shpirtit e kângës e gjejmë të shtresuar në synimin kombdëshmues në poezinë e at Fishtës, Hymni i flamurit kombtar. Poezia del si himn për simbolin tjetër kombëtar, flamurin, sikur në veprën e Asdrenit. Rrjedhimisht, etnosimbolikës kombëtare Fishta ia përshkruan parashenjën e kombdëshmimit, një synim politik i romantikëve shqiptarë.
Për ndryshim nga himnet e tjera, poezia e Fishtës e ndërlidh himnin për simbolin etnik, flamurin, me trashëgiminë religjioze e etnike e me kujtesën për to:
Porsi fleta e Ejlit t’Zotit
Po rrehë Flamuri i Shqipnisë

Vargjet e para krijojnë ndërlidhje të fuqishme me kujtesën religjioze: flamuri është simbol i paprekshëm kombëtar, vlerë e pranuar si paradigmë mbi të cilën fle kujtesa e popullit. E, sikundër dihet, kujtesa e kombit është monumenti kulturor, i cili krijohet e fle mbi një ambient kujtesor, të cilin e monumentalizon në kulturë, pra e shndërron në katalizator për rilindje të shenjave të hershme etnike, kulturor e religjioze, të cilat mund të shndërrohen në shenja të ringjalljes e në autoritete legjitimuese të përkatësisë.
Prandaj, flamuri i Fishtës është “fletë” e ardhur prej qiejsh; simbol i adhuruar sikur Zoti, i cili valëvitet në ajri e në kujtesën e secilit.
Poezia krijon ndërlidhje të fuqishme me të tjera shenja simbolike: me kujtesën historike e me simbolikën e trimërive, shembëlltyrën e së cilave e sjell kujtesa për të bëmat kastriote:

E thret t’bijt e Kastrijotit.

Kësisoj, që në vargjet e para ajo e krijon një ndërlidhje të fuqishme simbolike mes shenjash epike, historike, religjioze e etnike, duke u shndërruar ne vepër kujtesore-mobilizuese:

Bini Toskë, ju bini Gegë
Si dy rr’fe qi shkojn tue djegë.

Homeland¬-i i Fishtës shtrihet gjithandej nga shtrihet etnia; bashkësitë e tij krahinore, religjioze ose kulturore janë pjesë të komunitetit etnik, i cili i unifikon ato rreth disa paradigmash të fuqishme kulturore e historike. Kësisoj, poezia e mundëson territorializimin e simboleve, pra shtrirjen e ndikimit të tyre në gjithë hapësirat në të cilat jetojnë bashkëpatrijësit e tij, të cilët e ndjejnë dhe e kultivojnë simbolikën e përbashkët etnike.
Poezia e shpreh edhe një tjetër simbolikë etno-simboliste: ndjenjën e përbashkimit përmbi sakrificën e anëtarëve të bashkësisë. Ngaqë përmes thirrjes-kushtrim tashmë e ka krijuar ndjenjën e pjesëmarrjes, Fishtës i duhet ta krijojë edhe vetëdijen sakrifikuese, si sublimim i dashurisë ndaj patria-s:

A ngadhnyese a t’gjithë dëshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

Flamuri, simboli i parë i shprehjes së karakterit etnik në poezinë e Fishtës është i lidhur me një gjendje parajsore, në të cilën mbretëron harmonia tokësore dhe ajo qiellore:

Mbi njat Flamur Perendija
Me dorë t’vet Ai e ka shkrue:
“Për Shqyptarë do t’jet Shqypnija:
Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!”

Këto dy karaktere, të pashkëputura nga njëra-tjetra, janë gjendje motivuese për jetën: ta mbrojë atdheun, shenjat përdalluese të të cilit e udhëheqin vazhdimisht (Flamuri i ynë, qe, u nis përpara). Prandaj, kapërcimi nga motivimi harmonik parajsor në atë tokësor (të identifikueshëm përmes amor patriae), është i pahetueshëm:

Ndihmo, Zot, për Atme e Fe!

Poezia e Fishtës është përpjekje artistike për shpalosje të shenjave kombëtare e kushtrim për të dëshmuar peshën e tyre në motivimin e njerëzve. Por, përveç peshës artistike, poezia Himni i flamurit kombtar është e lidhur me Jetën (bioletra) dhe me shenjat përdalluese si motivuese të tyre (etnoletra). Por, për çfarë dëshmon empirikisht himni i Fishtës? Shkodra mbahej nën kujdesin e fuqive të mëdha dhe nuk u lihej shqiptarëve nën administrim. Rrjedhimisht, në kalanë e saj nuk valëvitej flamuri shqiptar, por ai i fuqive të mëdha. Fishta, sikur dëshmohet, provonte që ta tregonte këtë përkatësi vendore, duke e ngritur flamurin katërmetërsh mbi kishën françeskane të Gjuhadolit.
Nëse kombëtarizmi bart rreth vetes një aurë fataliteti, ky fatalitet është po aq i gdhendur edhe në histori. Por, duke dëshmuar për vendin, ai dëshmonte për trashëgiminë e trashëgimoren, sikur kërkonte Veberi. Pra, flamuri nga dëshmues shndërrohej në dëshmi, duke i thurur himn flamurit, ngjashëm me Adrenin, ai dëshmonte etnosimbolikën si origjinë të etnicitetit, i cili niste e soste në krahinat shqiptare, nga veriu në jug (simbolika: bini Toskë, ju, bini Gegë).
Një tjetër vjershë himn kushtuar simbolit kombëtar, flamurit, është poezia e Hilë Mosit, Flamurit. Njësoj sikur në krijimet e Asdrenit e të Fishtës, Mosi i thur himn simbolit kombëtar të shqiptarëve, duke e trajtuar atë si motivues të madh të lëvizjes për mëvetësi. Kësisoj, simbolet kombëtare edhe një herë shndërrohen në mjet motivimi për ruajtjen dhe kultivimin e përkatësisë, asaj kombëtare e identitare. Hilë Mosi e krijon një ndërlidhje të fuqishme mes sakrificës së përbashkët dhe kultivimit të shenjave identitare. Për të flamuri është fusha në të cilën simbolikisht përjetësohet sakrifica:

Sot duam t’skuqim ty me gjak.

e cila pastaj shndërrohet në mjet motivues për sakrificë të mëtejme për mbrojtjen dhe kultivimin e përkatësisë.

Sot kombi ka veç një dëshirë
të t’shoh’ t’valoç i lir’ n’ajri.

Fan Noli shkruante po kështu himn për flamurin, madje këtë e theksonte që në titull të poezisë së tij. Pra, ai e ndiqte traditën romantike të thurjes së himnit, ose krijimit të simbolit nacional, në një krijim poetik i cili është “kangë solemne” kushtuar vlerave kombëtare. Porse, ky simbol, i shprehur si kangë e himn, sipas traditës romantike shqiptare rishtas i atribuohet një simboli tjetër kombëtar: flamurit.

O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr’ o nën‘ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.

Në himnin nolian për flamurin simbolika e tij prek disa shtresa etnosimboliste: përmes tij dëshmohet sakrifica; ai është flamur gjak, pra dëshmi e sakrificës dhe e historisë që i ka paraprirë krijimit të kombit. Si dëshmi ai vetë shndërrohet në kujtesë, të cilën nuk e shlyejnë kohët.
Ndërlidhur me këtë veçori, gjysmëvargëshi tjetër paraqet dëshminë tjetër të himnit: identifikimin me simbolikën nacionale, me veçantitë e saj e me shenjat përdalluese të saj. Ai është flamur shkabë, simboli përdallues i shqiptarëve në histori. Kësisoj, simbolika bëhet shtysë për mbrojtje identiteti, shkaba (shqiponja dykrenëshe) është përcaktuesi vendësor për pjesëtarët e një kombi, të dallueshëm nga kombet e tjera, për nga gjuha, kultura e historia, si dhe dëshmi e ekzistimit të hershëm të tyre, sikur është vetë simboli i tyre, shiponja dykrenëshe, ekzistimi i së cilës ndërlidhet me antikitetin e hershëm, ndërsa ndër shqiptarë ajo ndërlidhet me simbolikën e prejarjdhjes pellazge, gjenealogjia e emirt të të cilëve nga autorë të ndryshëm është e ndërlidhur me “bij të skype-s”. Flamuri valëvitet në vendin, të cilin, sikur thosh’ Fishta, zoti e kishte ba për shqiptarët, bijtë e shqipes. Poezia e shpalos një dimension të fuqishëm etnosimbolist: ndërlidhjen mes simbolit e vendit, ose atë që Smithi e trajtonte si territorializim të vendit, simboleve e kujtesës. Flamuri shtrihet gjithandej, ai i shfaq karakteristikat përdalluese të kombit, i mban të lidhur anëtarët e bashkësisë dhe u shërben atyre si dëshmi e ardhur historike, por edhe si simbol i cili e ushqen kulturën e përbashkët, ardhur prej prej kângës.
Ve]se, shqiponja si simbol identiteti, para se të zinte vendin e saj në fushën e gjaktë të flamurit dhe ta dyfishonte simbolikën etnike, ka qenë e ngulitur në besimin e hershëm. Prania e saj i atribuohet një tradite të hershme, sipas së cilës fluturimi i saj nga e djathta në të majtë, ose prania e saj në krahun e djathtë të heronjve shënjonte ogurin e mirë për fatin e betejave. Pra, miti i shiponjës ekzistonte që herët në antikitet dhe ndërlidhej me ogurin. Porse, ajo ishte edhe shenjë identifikuese e një populli: atij pellazgjik, gjenealogjia e emrit të të cilëve, sipas një hamendësimi jo fort të argumentuar të sir Patrick Colquhoun-it dhe Pashko Vasës, ndërlidhej me skypen (shqiponjën). Madje, ajo ndërlidhet edhe me traditën e hershme letrare dhe theksohet sidomos në këngët homerike, duke qenë se ato, sipas tyre, ishin këngë pellazge dhe, prandaj, besimet e personazheve të tyre dhe traditat e popujve ndërluftues (të dyja fise pellazgjike!), shpërfaqin karakterin dhe besimet pellazge (skypetare – shqiponjore).
Kulti i shqiponjës, sikur shihet, ndërlidhet me identitetin e hershëm pellazgjik, por është kultivuar gjerësisht në letërsinë e antikitetit. Kësisoj, ai i është përcjellë njerëzimit në formë besimi e figure letrare. Është jo shumë i qartë raporti i shkrimtarëve të hershëm shqiptarë me këtë simbolikë të dyfishtë. Romantizmi, sikur do të shihet, e ringjall këtë kult dhe e lidh sa me besimin e hershëm, po aq me kërkesën për identifikimin e shenjave përdalluese nacionale dhe me dëshminë për praninë e hershme të tyre. Sikur u pa nga shembujt e letërsisë romantike, të tehksuar më sipër, praninë e saj, kultin e simbolikën e saj e ndërlidh me gjenealogjinë e fisit e të etnisë. Madje, sojesh e përligj ekzistimin e mitit: atij pellazgjik, nga i cili provon ta ngjallë vetëdijen për ndjenjën e përkatësisë së përbashkët dhe dëshminë për ekzisitimin e një kombi të lashtë, duke i trajtuar shqiptarët, njësoj si sir Colquhoun, si “bij të shqipes. Kjo dëshmon se simbolet etnike e kombëtare mund të luajnë rol të jashtëzakonshëm në krijimin e një vetëdijeje përbashkuese rreth disa shenjave / simboleve. Këto shenja u përkasin vetëm anëtarëve të bashkësive të caktuara. Ato janë shenja përdalluese dhe nuk mund t’i atribuohen asnjë grupi tjetër.

© Vehbi Miftari, 2017