Kulturë

Shqiptari do ta përfaqësojë Italinë në Eurovision

Ermal Meta në një duet me këngëtarin Italian Fabrizio Moro fituan edicionin e vitit 2018, duke u bërë automatikisht përfaqësuesit e Italisë në Festivalin e Këngës europiane, Eurovizion.

Kënga e tyre “Nuk më keni bërë asgjë”, do të performohet kështu, në Lisbonë, në maj të 2018-ës, kur mbahet Eurovizioni.

Festivali i Sanremo 2018 u mbajt në 5 mbrëmje. 30 % e rezultatit të votave ishin nga juria me gazetarë, 20 % nga ekspertët, dhe 50 % nga televotimet, dhe në përfundim të së gjithës Ermal Meta dhe Fabrizio Moro dolën fituesit e kategorisë “Kampionë” në Sanremo.

Ermal Meta lindi në Fier dhe që prej moshës 13 vjeçare jeton në Bari me familjen e tij.Kënga e Ermal Metës dhe Fabrizio Moro “Non mi avete fatto niente”, është kënga më e shkarkuar në iTunes dhe kënga më e dëgjuar në Spotify dhe platformat e tjera, ndërsa hashtagu ‘#IostconMetaMoro’ (Jam me Meta-Moro) është më i klikuari në Twitter këtë javë.

Aplikacioni Shazam identifikon Ermal Metën dhe Fabrizio Moro si artistët më të kërkuar të javës dhe agjencitë e basteve kishin vënë kuotat më të ulëta për dy këngëtarët.

Në vitin 2009, Meta formoi një tjetër grup, La Fame di Camilla, me të cilët realizoi tre albume. Në 2010, ai mori pjesë përsëri në Sanremo në kategorinë e artistëve të rinj. Përveçse këngëtar, ai është dhe një kantautor mjaft i talentuar. Ermal Meta ka shkruar këngë për emra të njohur të muzikës italiane si Patty Pravo, Marco Mengoni, Emma, Giusy Ferreri etj. Gjithashtu, ai ka shkruar dy këngë “Tutto si muove” dhe “Volevo perdonarti, almeno” për serialin televiziv Braccialetti rossi.

Në vitin 2017 ai konkurroi për herë të tretë në Sanremo, por për herë të parë si solist. Kënga e tij “E ndaluar të vdesësh” u konsiderua si një nga krijimet me tekstin që përcillte mesazhin më të fortë në këtë festival ku ai zuri vendin e tretë.