Rusët në Kosovë me votë, me tregti, me rrjete sociale, me media e politikanë!

0
Rusët në Kosovë me votë, me tregti, me rrjete sociale, me media e politikanë!
 

Sot Beogradi e Moska ka qendra të fuqishme të shoqërisë civile të instaluara në Kosovë. Ashtu siç kanë ‘beduinët e shkretëtirës’ së Lindjes edhe politikanët e tyre në Prishtinë e gjetiu nëpër hapësirat shqiptare; Hapësira e tre kryeqyteteve, Prishtina, Tirana dhe Shkupi, janë të rrezikuara seriozisht nga invazioni dhe hegjemonizmi rus, duke filluar nga politika, diplomacia, kultura, tregtia, media e shoqëria civile. 

 

Infopress

 

Po të shkruhej më herët se Ballkani është i kërcënuar nga ndikimi rus, atëherë një gjë e tillë nga mediat e mendësisë jugosllave në Kosovë, nga elementet e saj në kuadër të shoqërisë kosovare do të kundërshtohej aq fuqishëm, saqë askush nuk do të mbetej në anën e këtij realiteti.

Kjo ndodhte kështu nisur edhe nga e dhëna se klasa politika e kishte humbur besimin me të të drejtë te qytetari i Kosovës. Si thuhet në popull «ujku do mjegull për ta zënë prehen e vet». Dhe ashtu është duke ndodhur.

Mendësia jugosllave sot e stërmbushur nëpër disa parti të reja e të vjetra të vendit, e mbështetur në mënyrë histerike nga mediat e mendësisë jugosllave, të cilat janë krijuar në kohën e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, janë në avantazhin më të madh të krijimit të një klime antiamerikane në Kosovë.

Mediat e tilla kanë tendencë thjesht për ta bërë jetën e padurueshme në Kosovë. Qëllimi i tyre është zbrazja e Kosovës dhe lyerja e saj me ngjyrë të zezë në çdo qoshe.

Erdhën të gjithë diplomatët dhe politikanët e mëdhenj dhe me postet më të larta nga SHBA-ja për ta vënë politikën e Kosovës në vijat e duhura euroatlantike, ashtu sikurse edhe në Shqipëri e në Maqedoni, por edhe sot e këtë ditë kjo përpjekje është shumë e brishtë.

Më shumë në Kosovë zënë vend sot produktet politike të Rusisë e të Serbisë, sesa që zënë vend vlera dhe produktet autoktone Perëndimore të Kosovës. Ndikimi i Rusisë dhe i Lindjes e ka kapluar Kosovën e ka ngulfatur dhe ajo është duke u rrezikuar seriozisht prej elementeve të ekstremizmit të shfaqur në politikë e deri te mjediset me natyrë fetar, në media në shoqërinë civile.

Sot Beogradi ka qendra të fuqishme të shoqërisë civile të instaluara në Kosovë. Ashtu siç kanë ‘beduinët e shkretëtirës’ edhe politikanët e tyre në Prishtinë e gjetiu nëpër hapësirat shqiptare që janë duke e mbuluar Kosovën dhe pjesët shqiptare në Ballkan me tradita thjesht të tyre, që nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat, edukimin dhe qytetërimin e qytetarëve shqiptarë.

Po ka edhe politikanë, tregtarë, biznesmen e afaristë të fuqishëm shqiptarë që e shesin thjesht mallin e Serbisë në Kosovë në vlerë deri në 700 milionë euro në vit.

Në të vërtetë ka qenë vetë Hoyt Brian Yee, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit që ishte pak javë më parë në Shqipëri, ai, që ka dhënë detaje mbi mënyrat që po përdor Moska.

Ai ka folur në senatin amerikan mbi situatën në Ballkan dhe për të parën herë ka deklaruar se Rusia po përdor zyrtarët e korruptuar në Shqipëri e vendet e tjera për të shtrirë ndikimin e saj.

«Ballkani Perëndimor përballet me një numër kërcënimesh: Institucione të brishta, mangësi në shtetin ligjor dhe media jo e lirë, i kanë hapur rrugën një korrupsioni të rrënjosur thellë. Ky korrupsion vë në rrezik këto demokraci të reja dhe u hap rrugën aktorëve destabilizues, përfshirë ekstremistë të dhunshëm, grupe të krimit të organizuar dhe vende që duan të ushtrojnë ndikim keqdashës», tha ai.

Deklarimi i zyrtarit të lartë të SHBA-s mori mbështetje të fuqishme nga senatorët, të cilët kërkuan që SHBA të marrë masa për të ndalur agresionin rus në Ballkan, por dhe të japin mbështetje me qëllim realizimin e reformave.

Vetë Yee tha se problemet e brendshme, u kanë hapur rrugën kërcënimeve të jashtme si Rusia që synon të frenojë përpjekjet e vendeve të rajonit për të ndjekur një rrugë euro-atlantike.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit, përmendi disa përparime të arritura me mbështetjen amerikane, përfshirë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, ku sërish bëri apel që të vijohet më këtë proces. «Me angazhimin tonë dhe të Evropës, gjatë muajit të kaluar, kemi parë disa suksese reale, me hyrjen e Malit të Zi në NATO, sigurisht me ndihmën e Senatit, udhëheqësit e Maqedonisë bashkëpunuan për të formuar një qeveri të re, opozita e Shqipërisë ra dakord që t’i japë fund bojkotit dhe të marrë pjesë në zgjedhje më 25 qershor dhe Serbia pritet të hapë dy kapituj të ri me Bashkimin Evropian këtë muaj», tha ai.

Këto ditë u banë të njohura edhe fakte të reja të ndikimit rus në media të shkruara e elektronike si dhe në fusha tjera. U tha se tashmë kanë arritur nga Moska në Tiranë e Prishtinë sipërmarrës, gazetarë, analistë, studiues dhe diplomatë.

U tha se të sapoardhurit kanë vizituar ambientet e hapësira ku do të veprojë ‘qëllimi i ndikimit rus e sllav’, janë shtuar «atashetë kulturorë, tregtarë», pranë përfaqësive diplomatike ruse në Tiranë, Podgoricë, Shkup, Beograd dhe Prishtinë që kanë për qëllim krijimin e kushteve për hapjen e një qendre të njëjtë homologe të Nishit të Serbisë, por tani me seli në Tiranë.

Në anën tjetër jo rrallë Serbia demonstron manovra të përbashkëta në kufij me Kosovën.

Nga perspektiva e sotme mund të shihet qartë se hapësirat e tre kryeqyteteve, Prishtina, Tirana dhe Shkupi, janë të rrezikuara seriozisht nga invazioni dhe hegjemonizmi rus, duke filluar nga politika, diplomacia, kultura, tregtia, media e shoqëria civile.

Madje në Kosovë shkruhen libra të vazhdueshme kundër vlerave të luftës së UÇK-së dhe ato promovohen në Beograd.

SHPËRNDAJE

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU