Sociale

Rritje e dhunës nga ekstremistë të bardhë

Një raport i ri thotë se numri i vrasjeve të kryera nga supremacistët e bardhë në Shtetet e Bashkuara u rrit më shumë se dyfish në 2017 krahasuar me vitin pararendës.

Liga Kundër Ofezave në Shtetet e Bashkuara njoftoi të mërkurën se numri i amerikanëve të vrarë nga ekstremizmi ra në 2017, megjithatë ky mbetet një ndër vitet më të dhunshme që nga 1970.

Raporti thotë se disa nga vrasjet lidheshin me lëvizjen “alternativa e djathtë” ndërkohë që “lëvizja vazhdoi të zgjeronte aktivitetin në 2017 duke u shtrirë nga interneti edhe në terrenin fizik, duke shtuar mundësinë për akte të tjera të dhunshme në të ardhmen”.

34 vetë u vranë nga ekstremistë të brendshëm në Shtetet e Bashkuara në 2017, thotë raporti, krahasuar me 71 të vrarë në 2016 dhe 69 në vitin 2015.

Një nga incidentet më tronditëse të 2017 ishte vrasja e protestueses Heather Heyer në Sharlotsvill të Virxhinias në muajin gusht gjatë një tubimi të supremacistëve të bardhë, kur një pjesëmarrës goditi me makinë një grup anti-protestuesish.

Një tjetër incident që bëri bujë ishte masakra e Las Vegasit më 1 tetor 2017 kur një person i armatosur vrau 58 vetë në një koncert. Por të vrarët në këtë incident nuk u përfshinë në statistikat e studimit.

Një zëdhënës i Ligës kundër Ofezave tha “Nuk ka të dhëna se autori i masakrës së Las Vegasit kishte ndonjë ideologji specifike. Deri tani nuk është zbuluar se ai ishte ekstremist apo ishte frymëzuar nga ide ekstremiste”.

Megjithatë, raporti thotë se nëse zbulohen hollësi të reja se incidenti u frymëzua nga ide ekstremiste, do të rishikohen statistikat e 2017-tës.

Raporti i së mërkurës thotë se 2017-ta ishte viti i dytë radhazi kur u regjistruan vrasje nga nacionalistë afrikano-amerikanë në Shtetet e Bashkuara, gjë që veçohet si tendencë shqetësuese në raport.

“Nëse e lidhim me akte të tjera të dhunshme të kryera nga nacionalistë afrikano-amerikanë gjatë viteve të fundit, këto vrasje sinjalizojnë mundësinë e lindjes së një problem të ri”.

Raporti thotë se armët e zjarrit ishin mjeti i preferuar për të kryer aktet e dhunshme gjatë 2017, pasuar nga goditjet me makinë dhe më pas armët e ftohta.

Raporti veçon si një zhvillim shqetësues përdorimin e makinave si mjet vrasës në sulme në Evropë gjatë viteve të fundit dhe mundësinë që sulme të tilla të shtohen në SHBA.

Sulmi më vdekjeprurës ekstremist i 2017 u krye me kamion të marrë me qera. Më 31 tetor një ekstremist islamik goditi me makinë këmbësorët dhe kalimtarët në një rrugë për biçikleta në Nju Jork duke lënë tetë të vrarë përgjatë një segmenti 1 kilometërsh të rrugës.

Liga nënvizon se sulme me makina u kryen si nga një supremacist i bardhë ashtu edhe nga një ekstremist islamik, duke nënvizuar se asnjë nga këto prirje ekstremiste nuk duhet injoruar.

Liga Kundër Ofezave, një organizatë që lufton për mbrojtjen e të drejtave civile dhe kundër prirjeve anti-semitiste si dhe qëndrimeve kundër pakicave thotë se 2017-ta ishte vit më pak i përgjakshëm pasi nuk pati incidente të rënda me shumë të vdekur si në sulmin e kryer në klubin e natës në Florida në 2016 ku u vranë 50 vetë.

Raporti thekson se vrasjet nga ekstremistë të kryera në burgje nuk tërheqin vëmendjen e duhur pasi shpesh këto incidente nuk njoftohen nga zyrtarët e burgjeve dhe nuk pasqyrohen nga media.

Dy nga viktimat e vjetshme ishin roje burgu, një tjetër ishte polic.

Autorët e studimit nënvizojnë se vrasjet nuk janë i vetmi dëm që shkakton ekstremizmi. “Ka rëndësi të vëmë në dukje se vrasjet që përmenden në raport janë vetëm maja e një piramide me dhunë e krime në Shtetet e Bashkuara. Për çdo individ që vritet nga një ekstremist, shumë të tjerë plagosen në tentativa për vrasje. Po ashtu ka një numër aktesh të tjera si kërcënime, ngacmime, e akte që dëmtojnë biznesin ose imazhin e dikujt, që kryhen nga organizatat e rrjetet ekstremiste,” thotë shefi i organizatës.