Ekonomi

A po mbyllet “shekulli amerikan”, për t’i lënë vendin “shekullit kinez”?

Shekulli amerikan kishte doktrinën e vet: nga njëra anë mund të mburrej me superioritetin e kombinimit të ekonomisë së tregut dhe formav të demokracisë liberale; nga ana tjetër premtonte përfitime të shpërndara mirë, për të gjithë ata që respektonin atë model. Sot Perëndimi është i mbushur me dyshime dhe zhgënjime nga globalizimi, janë rritur pabarazitë e brendshme, klasa e mesme është në kolaps, të rinjtë kanë pritshmëri të ulëta në krahasim me prindërit. Kina e sheh botën kokëposhtë: globalizimi ka zvogëluar distancat Veri-Jug dhe ka mundësuar krijimin e një klase të re prej më shumë se gjysmë miliardë njerëz, në vendet në zhvillim. Tani është Kina që propozon globalizmin si një “strategji win-win”

Air Force One ngroh motorët për udhëtimin e parë jashtë vendit të Donald Trump, që do ta shpjerë atë nga Arabia Saudite në Evropë, duke u përmbyllur në takimin e G7 në Taormina. Tepër vonë? Samiti i vërtetë global ka ndodhur tashmë. Dhe presidenti amerikan ka munguar. Super takimi me 29 udhëheqës botërorë organizuar në Pekin nga Xi Jinping, u bë në një kohë të paramenduar, duke i paraprirë me disa ditë misionit të parë të huaj të presidentit të ri amerikan. Rruga e Re e Mëndafshit, propozuar nga Kina pjesës tjetër të botës, është paraqitur si gurthemeli i globalizimit 2.0. Nëse shekulli amerikan është mbyllur, shekulli kinez është një kandidat për ta zëvendësuar atë. Projekti gjigant i ndërtimit të infrastrukturave që Pekini i “ofron” pjesës tjetër të botës (duke paguar pjesën më të madhe të shpenzimeve, që vlerësohen më shumë se një mijë miliardë), nuk është vetëm ndërtimi i një rrjeti të gjerë lidhjesh, për të konsoliduar marrëdhëniet ekonomike; është propozimi i një modeli alternativ ndaj atij amerikan. Po shohim dorëzimin e stafetës? Në Amerikë dhe në të gjithë Perëndimin shumohen të penduarit nga globalizimi, dhe ushqehen pakënaqësitë e nacionalistëve. Kina merr flamurin e globalizmit, pretendon udhëheqjen, ndërton institucione të reja për ta qeverisur.