Opinion

Përmbushja kosovare e parashikimit gjerman

 

AUTORI: BLERIM LATIFI

 

Në ditët, kur përgjatë gjithë Evropës Lindore, regjimet komuniste po shndërroheshin në gërmadhë, njëra pas tjetrës, një gazetar do ta pyeste sociologun e njohur gjerman Ralf Dahrendorf : Çfarë do të ndodhë tash e tutje në vendet që po linin pas komunizmin?

Duke lënë anash kujdesin sociologjik për të mos bërë profeci historike, Dahrendorf do të jap një përgjegje me tone paska profetike : “Do të duhen 6 muaj për t’i ndryshuar strukturat institucionale të lëna nga komunizmi, 6 vite për të ndryshuar strukturat ekonomike të tij dhe 60 vite për të ndryshuar mentalitetin e tij”.

Në atë kohë, ky parashikim, binte ndesh me klimën e entuziazmit postkomunist, brenda të cilës besohej se, në një kohë rekorde, do të mbylleshin llogaritë me të kaluarën e errët dhe njerëzimi do të hynte në tokën e premtuar të demokracisë liberale. Frensis Fukujama, filozofi i Uashingtonit, do të ngutej që i pari të jap këtë lajm të gëzuar, duke harruar se “lënda historike gjithmonë revoltohet ndaj pretendimeve teorike”, siç do të shprehej poeti nobelist meksikan Ocativo Paz.

Sot, pothuajse tridhjetë vite pas rënies së Murit të Berlinit, kur përballemi me diskursin politik në Kosovë, e me sjelljet dhe veprimet e ndryshme që lidhen me këtë diskurs, e ndjejmë prirjen për të pranuar se Dahrendorf kishte të drejtë.

Kemi ndryshuar strukturat politike, edhe ato ekonomike, ndërsa mentaliteti komunist ende vazhdon të influencojë, jo vetëm gjuhën publike, por edhe sjelljet e veprimet tona. Për këtë flasin dy shembuj, të cilët do t’i sjellim në vazhdim të këtij teksti
Kontributi kosovar në teorinë e revolucionit botëror

Kur plasi sherri në Vetëvendosje!, Albin Kurti, nga burgu, si dikur moti baba i komunizmit Italian,- Antonio Gramshi, do t’i shkruaj letër Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes. Një ndër brengat kryesore të shprehura nga Kurti në atë letër ishte brenga për kontributin e pakët të Vetëvendosjes në teorinë e organizimit revolucionar. “Lëvizja VETËVENDOSJE! ka me dhjetëra mijëra faqe tekst, shkrime e intervista, për diskursin e saj, por ajo nuk i ka as dhjetëra faqe për teorinë dhe praktikën organizative”, do të shkruaj Kurti. Kjo brengë është vetë brenga e Leninit, i cili partizanëve të tij u thoshte se nuk mund të ketë lëvizje revolucionare pa teori të organizimit revolucionar. Ashtu si Lenini, që mori vetë përsipër t’i japë përgjegje brengës së tij, edhe Kurti, me të dalë nga burgu, përvjeli mëngët e iu shtrua punës për të zgjidhur problemin e varfërisë teorike të Vetëvendosjes dhe me këtë rast edhe për të dhënë kontributin kosovar në teorinë marksiste. Nuk vonoi dhe frytet e punës kolosale të tij patëm rastin dhe fatin historik t’i lexojmë të gjithë. Platforma e Kurtit për rizgjedhjen Lider Suprem i Vetëvendosjes përmban gjithë tonin e një platforme ku bashkohen stili i Manifestit komunist, moralizmi i katekizmit fetar dhe fryma ekspeditive e tekstit leninist. E përafërt në stil me veprat e klasikëve të mendimit marksist, Platforma e Kurtit është poaq pretencioze edhe në rrafshin e risive konceptuale dhe ideore. Në linjën e francezit Luis Blanki që shpiku konceptin e “komplotistit profesionist” dhe ideologut rus Sergey Nechayev që shpiku konceptin e “terroristit profesionist”, Lenini në veprën e tij “Ç’të bëjmë”, do të shpikë konceptin e “revolucionarit profesionist” . Të tri këto koncepte përgjigjen në pyetjen e madhe: Si ta bëjmë të mundur, një orë e më parë, Revolucionin Botëror?

Ndërkaq, klasiku ynë i marksizmit, në Plaformën e tij të udhëheqjes së Vetëvendosjes, ka krijuar një koncept të ri : konceptin e aktivistit profesionist. Njësoj si Lenini që përcakton standardet e të menduarit dhe të vepruarit të revolucionarit profesionist, edhe Kurti, në Platformën e tij, përcakton kodin e të menduarit, të të përjetuarit dhe të sjelljes të aktivistit profesionist. Tash e tutje secili që dëshiron të bëhet pjesë e Vetëvendosjes e ka si kusht themelor përvetësimin e këtij kodi. Ky përvetësim është hapi i parë në zhvillimin e besnikërisë ndaj liderit suprem. Duke ditur se kjo nuk arrihet pa vënien në përdorim të unitetit marksist të teorisë dhe praktikës Kurti flet për krijimin e Shkollës Politike të Vetëvendosjes, ku në mënyrë të organizuar do të zhvillohet indoktrinimi dhe profesionalizimi i aktivistëve , si dhe për organizimin e aktiviteteve humanitare të tyre në terren. Këto aktivitete janë komplementare me indoktrinimin, sepse, dihet prej kohësh se, forma më efikase për të ngulitur një besim fetar apo ideologjik, është t’i detyrosh njerëzit ta ushtrojnë besimin. Të gjithë themeluesit e feve e dinin këtë prandaj urdhëruan pasuesit e tyre që të ndërtojnë struktura të organizuara të ushtrimit të besimit. Ishin këto struktura që ndër shekuj i mbajtën gjallë doktrinat e këtyre themeluesve, se sa për të vërtetat e tyre prej kohësh do të harroheshin. Njeriu që mori guximin t’i eleminoj këto struktura është përgjegjësi kryesor për përhapjen e sekularizmit në botë dhe ky njeri është gjermani Martin Luteri.

Por të kthehemi tek klasiku ynë i marksizmit.

Ndonëse janë komplementare me shkollën e indoktrinimit, aktivitetet bamirëse në terren, të cilat Kurti ua parasheh në profesionin e tyre aktivistëve të Vetëvendosjes, e largojnë pak konceptualisht shokun Kurti nga shoku Lenin. Ideja e mbledhjes të ushqimeve nga restorantet e të pasurve për t’ua shpërndarë të varfërve e bën Kurtin një komunist sentimentalist, i cili më afër është me aktivitetet e bamirësisë të Caritas-it të drejtuar nga Don Viktor Sopi, se sa me pandjeshmërinë leniniste për të varfërit konkretë. Mbesim me shpresë se këtë kontradiktë teorike shoku Kurti do ta rishikoj në kontributet e tjera të tij për çështjen e madhe të emancipimit të njerëzimit.
Tani ta lëmë anash ironinë, e të përqëndrohemi në atë që ish dora e djathtë e Kurtit, Dardan Molliqaj, tani po e quan “qasje e rrezikshme e Kurtit për vendin”.
I menduari ideologjik i Kurtit do të dukej serioz sikur të ishim duke jetuar një shekull më parë, por sot në vitin 2018 të përpiqesh që me këtë lloj të menduari t’i trajtosh problemet e shtetit e të shoqërisë, kjo është e barbartë me një anakronizëm tragjikomik. Njeriu, i cili ka marrë më se shumti vota në zgjedhjet e fundit nacionale, si pasojë e vetindoktrinimit me literaturën e radikalizmit të majtë, ka rrëshqitur krejtësisht në marrëzi ideologjike.

Qasja e tij se të vërtetat dhe shpjegimet për realitetin politik gjenden duke u mbyllur në botën e librave është krejtësisht e gabuar. Librat janë të domosdoshme, absolutisht të domosdoshme, por gjithsesi jo të vetëmjaftueshme për orientimin e proceseve politike.
Politika, kur nuk është luftë, zhvillohet përmes diskutimit dhe negociimit të të vërtetave të ndryshme, prandaj kompromisi e konsensusi janë moduset kryesore të saj në një shoqëri demokratike. Demokracia nuk pranon asnjë lloj diktature, e pra as diktaturën interpretuese, të cilën Kurti, me zgjedhjen kryetar, veç e ka instaluar në Vetëvendosje. Dorëheqjet serike, gjatë muajve të fundit, të figurave kryesore të saj, janë reagime ndaj kësaj diktature.

Stalinizmi artistik në qendër të Podujevës

Këtë vit u mbushën 21 vite nga rënia në Pestovë të Vushtrrisë e tre prej luftëtarëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut. Në nderim të tyre në qendër të Podujevës u vendosën shtatoret e tyre, bashkë me shtatoren e lufëtarit tjetër llapjan Ilir Konushevci.
Pyetja që shtrohet në këtë mes është kjo: A u nderua vërtet kujtimi i këtyre katër burrave, të cilët, në një kohë të dëshpërimit e të nënshtrimit, guxuan të nisin kryengritjen kundër Serbisë?

Konsideroj se është bërë pikërisht e kundërta. Pse? Për një arsye shumë të thjeshtë : shtatoret e tyre janë realizime artistike të shkollës së realizmit socialist, parimet e të cilit u vendosën nga Stalini në vitet 30 të shekullit të kaluar. Në rrafshin e skulpturës këto parime kërkonin që figurat e heronjve të paraqiteshin masivisht gjigande, të pajisura me drapër, çekan ose me armë në gjendje luftimi dhe pa stërhollime artistike.
Rasti i fundit në Podujeve nuk është i vetmi. Anë e kënd Kosovës janë me qindra shtatore të heronjve të UÇK-së, të gjitha të realizuara me standardet e realizmit socialist. Të zhytur në mjerim intelektual e kulturor, e të nxitur nga dëshira e pushteteve për të marrë kontrollin simbolik mbi territorin social, ne lejuam që skulptorët e realizmit socialist në Shqipëri, të mbetur papunë pas rënies së komunizmit, të pushtojnë tregun kosovar të skulpturës dhe në këtë mënyrë të na kthejnë në vendin e fundit në Evropë ku ende ndërtohen shtatore sipas modelit artistik sovjetik.

Derisa zbuloheshin shtatoret e katër heronjve të UÇK-së në Podujevë, ndjeva keqardhje për ta, sepse ato shtatore ngjasojnë krejtësisht, në frymë e në stil, me atë të “Pesë Heronjve të Vigut”( monument i komunistëve të vrarë në Mirditë në vitin 1944) dhe me atë partizanit jugosllav Boshko Buha.
Në këtë mënyrë, për shkak të injorancës tonë, duke dashur t’i nderojmë heronjtë tanë, ne, në fakt, i kemi fyer ata.
Është moment i fundit që dora e shtetit të vendoset mbi këtë fushë dhe të ndalohet ky fenomen, që askujt nuk i bën nderë, e të gjithëve na turpëron, duke na shfaqur para botës si shoqëri pa vlera e pas sens për kohën në të cilën po jetojmë.