Sociale

Përdorimi i rrjeteve sociale për nxitjen e radikalizmit

Përdorimi i rrjeteve sociale për nxitjen e radikalizmit

Në Kosovë rrjetet sociale si Facebook dhe Youtube janë platformat më të përdorura nga rekrutuesit dhe ekstremistët e dhunshëm për të përcjellë mesazhet e tyre për të nxitur përfshirjen e të rinjve në grupe të ndryshme ekstremiste.

Këto janë të gjeturat e raportit “Fushëbetejat e reja – Aktiviteti i grupeve ekstremiste në rrjete sociale” i cili u publikua të enjten nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë. Në raport janë analizuar 60 faqe në Facebook, 4 grupe të mbyllura, më shumë se 120 profile individuale dhe 6 kanale në youtube.

Një nga autorët e këtij raporti, Shpat Balaj, tha se përmbajtjet e analizuara propagandojnë kundër sistemit sekular të Kosovës dhe Ballkanit duke ju referuar proceseve të ndryshme si veprime që bien në kundërshtim me besimin islam.

“Në rrjetet sociale është trend i të gjitha këtyre profileve dhe grupeve që ata shfrytëzojnë fenomene të ndryshme që ndodhin në vende të ndryshme për ta proklamuar Shtetin Islamik. Në rastin e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, shpesh herë janë ngritur debate për shembull për uljen e zërit të ezanit, për ndalimin e shamive në shkolla, ka pasur raste që janë demolu xhamitë, ka pasur shumë debate për mungesë të xhamive dhe këto janë shfrytëzuar mjaft mire prej këtyre grupeve, duke proklamuar shtetin islamik duke thënë se brenda shtetit islamik nuk ekzistojnë këto probleme, atje janë të gjithë të barabartë…”, tha ai.

“Në këto grupe ka edhe thirrje për xhihad, ka pamje të rënda të masakrave në Siri, të vrasjes së civilëve, të vrasjes nga pjesëtarët e ISIS-it të kundërshtarëve të tyre, ka përkrahje të madhe për hoxhallarët e arrestuar, (hoxhallarët e hakut), një nga faqet ka raportime të rregullta nga zonat e konfliktit, ka mbështetje për sulmet terroriste që ndodhin në perëndim…”, tha zoti Balaj.

Ian McDonald nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë, tha se kërcënimi nga radikalizmi vazhdon të jetë në rritje, mirëpo tani ka ndryshuar formë dhe është shumë me rëndësi të përditësohen edhe format e luftës kundër tij.

“Natyrisht se është shumë e rëndësishme që të krijojmë strategji në përpjekje për të monitoruar këtë kërcënim. Pyetja se si radikalizohen njerëzit në radhë të parë është shumë e komplikuar, por nuk ka dyshim se është një kombinim i kornizës së gjerë dhe asaj lokale. Prandaj sa i takon Kosovës, ne duhet të zhvillojmë mjete për të monitoruar në vazhdimësi format e radikalizimit, dhe padyshim ky raport do të jetë një bazë e metodologjisë në vazhdim për të monituaruar dhe kontrolluar narracionet radikalizuese lokale”, tha McDonald.

Raporti përfshinë edhe rekomandime ku ndër të tjera kërkohet që dijetarët fetarë dhe bashkësitë islame të rajonit të jenë më aktive në rrjetet sociale, në mënyrë që të ofrojnë argumente fetare në luftimin e propagandës online, që përdoret nga grupet ekstremiste për të rekrutuar njerëz.

Kosova është përballur me dukurinë e përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat e huaja që nga fillimi i konfliktit në Siri. Që atëherë rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme dhe rreth 60 veta kanë humbur jetën. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Besohet se edhe më tej atje ndodhen rreth 140 persona, nga të cilët 75 luftëtarë dhe të tjerët gra e fëmijë.