Opinion

Norma morale që ju mungon apo rikthimi i të dështuarve

Norma morale që ju mungon apo rikthimi i të dështuarve

Izmi Zeka

Gëzohemi kur partitë gjenerojnë kuadro të reja duke shpresuar kështu se do të sjellin frymë të re në politikëbërjen e vendit. Nga polemikat e ditëve të fundit kur u zu në gojë SHIK-u dhe u thanë përrallat fantome për të, e kuptoj që i ri në këtë kuptim nuk do të thotë veç i ri me moshë, por me koncepte, ide, shkollim dhe dëshira të reja për përparimin e vendit. Të rinj të cilët do të na befasonin dhe do të na bënin krenarë për arritjen e tyre, që do të mësonim nga ta apo në rastin më të mirë t’ua lironim vendin. Pak po shoh të tillë. Të rinj që mësojnë apo trashëgojnë të këqijat nga gjenerata e vjetër nuk i duhen të ardhmes së këtij vendi, por rini që interferon te gjenerata e vjetër për t’i përmirësuar gabimet. Me të njëjtat gabime, vetëm “mosha e re” nuk duket të jetë vlerë.

E kam fjalën për të gjithë zërat e rinj në Kuvendin e Kosovës, të cilët po përdorin një gjuhë të vjetër, realisht për PDK-në të papranueshme, të tejkaluar edhe në kuptimin e shqetësimit me to dhe kurrë të motivuar nga ana e saj. PDK-ja ka dëshmuar se rinia e saj ka sjellë një qasje krejt tjetër, moderne, konstruktive dhe profesionale, larg nga diskursi i luftës edhe pse kjo parti është bartëse kryesore e atyre vlerave. Këtë jemi detyruar ta përmendim në rastin e fundit, kur duke na luftuar ne, janë shkelur edhe këto vlera sublime të kombit tonë.

Në asnjë rast tjetër. Por, mungesa e ideve të rinisë së disa partive inferiore ndaj vlerave të PDK-së, ka bërë që në fjalimet e tyre të kenë një diskurs të një mentaliteti të vjetër, të disa paraardhësve të tyre tashmë të pensionuar. E në disa raste, të pasardësve të atyre që pensionet i marrin nga organet e sigurisë të armiqve tanë. Për këtë them se kjo nuk është rini, por ripërtëritje e një mentaliteti qyqar me mosha të reja, me vajtues, akuzues e abuzues. Rikthimi i përrallës fantazmë për SHIK-un e për UÇK-në, duke i kualifikuar si kriminale, duke moralizuar në raport me to, duke përçmuar e ofenduar të gjallë e të vdekur, është mjerim përpara se të jetë faj.

Kam menduar se ligji i lustracionit do ta zgjidhte këtë problem, kur shumëkush do të privohej nga e drejta për të marrë pjesë në institucione demokratike. Shtete të tjera e kanë menduar këtë për të kaluar më shpejtë këtë fazë të tranzicionit. Por përpara ligjit, këtij vendi po i mungon norma morale, për të ruajtur vlerat e këtij vendi. Po i mungon më shumë se kjo, Nëse kjo normë morale mungon si vetëdije qytetare, mendoj që duhet të shkojmë nga ajo që të nxjerrim një ligj për mbrojtjen e vlerave të luftës. Ku nuk duhet të lejohet që vlerat e UÇK-së të përdhosen në çfarëdoforme, përditë, sidomos në këtë mënyrë të paturpshme, kur një parti me mungesa në historinë e shtetësisë së Kosovës, për qëllime politike mëton të ulë vlerat e ushtrisë çlirimtare të vendit të vet dhe me këtë ta sulmojë partinë politike që është bartëse e kësaj fryme. Kjo për qëllime politike ose për qëllime kompleksesh, nga që duan ta relativizojnë punën e UÇK-së, si një veprimtari ordinere dhe kështu të mos kenë më peshën e rëndesës morale për prejardhjen e tyre, që në shumë raste lidhet me UDB-në, nga këta që janë zërat më të lartë në akuzat kundër UÇK-së.

Kam frikë se një ditë do të na shajnë edhe në rrugë. Dëshira e tyre për ta ulur numrin e veteranëve, nuk ka të bëjë me buxhetin. Ka të bëjë me kompleksin e tyre. Në njërën anë mendoj se është turp të mendohet që çlirimin e këtij vendi e paskan dashur apo e paskan ndihmuar vetëm 20 mijë veta, apo 50 mijë, në krahasim me 2 milion. Këta kanë frikë që ky numër është bërë 50 mijë, për çka edhe unë kam vërejtje, por ata kanë qëllime të fshehta. Edhe më i fundit kontributor i UÇK-së të futej në listë, edhe ai që veç një orë ia ka kushtuar kësaj veprimtarie, edhe në 500 mijë të shkojë numri, këta nuk e kanë hallin te buxheti por sepse vetë nuk janë pjesë e saj, as e një minuti të vetëm. Prapa i mundon ndjenja e fajësisë, e mungesës, e inferioritetit.

Ne i kemi falur të tillët, edhe moralisht, ndonëse pa na kërkuar falje, pa e ndier veten fajtorë edhe pa ligjin e lustracionit, edhe pa i privuar nga pjesëmarrja në organe shtetërore. Ata nuk kanë falënderim për idetë tona përparimtare, nuk janë falënderues për këtë, tani kanë filluar edhe të na akuzojnë. Ata urrejnë gjithçka që lidhet me UÇK-në, jo numrin e rritur. Por gjithçka. I thërret gjeni, prejardhja, paraardhësit.

Një i ri duhet të jetë krenar me familjen, me prejardhjen, me vendin, me historinë e vendit të tij. Me shkollimin e tij pastaj e me kontributin që i jep vendit. Nuk e kuptoj çfarë krenarie ndien dikush që nga mëngjesi në mbrëmje, kudo që i jepet mundësia, vjell vrerë kundër ushtrisë çlirimtare të vendit të vet.

Nuk imagjinohet të ndodh në SHBA, Angli, Gjermani, Austri e kudo ku i kemi miq dhe shembull. Këtyre u mungon krenaria me kombin e vet. Se s’janë krejt të pastër në të kaluarën e tyre në raport me kombin. Prandaj. Le ta kërkojnë këtë falje – do t’i falim! Jo për këtë kompleks, të mundohen ta ulin UÇK-në në vlerat e tyre, ta relativizojnë rolin e saj historik, që të mos ndihen të mangët në këtë aspekt.