Lajme

Maqedonia e mbyll kufirin për afganët

Maqedonia e mbyll kufirin për afganët

Çdo ditë në Greqi mbërrijnë me mijëra refugjatë. Shumica e tyre duan të kalojnë nëpërmjet Maqedonisë për në Veri. Kjo rrugë për afganët është bllokuar. Refugjatët duket se po përgatiten për një itinerar të ri.
Mittelmeer MOAS Rettungsaktion Flüchtlinge Flüchtlingsboot
Në krizën e refugjatëve nuk po përvijohet shtensionim. Sipas Organizatës për Refugjatët të OKB-së, UNHCR, vetëm të shtunën në Greqi mbërritën 3772 vetë. Jo më larg se e enjtja, Greqia bëri të ditur se ishte arritur shifra më e lartë e të ardhurve këtë vit, me mbërritjen e 4824 vetëve.
Ndërkohë, fqinji verior i Greqisë, Maqedonia ka nisur të vështirësojë kalimin tranzit për refugjatët afganë. Maqedonia e argumenton këtë hap me informacionin se edhe Serbia i ka mbyllur kufijtë e saj me Maqedoninë për njerëz nga Afganistani. Kufirin mund ta kalojnë vetëm refugjatë nga Siria dhe Iraku. Në nëntor, qeveria e mbylli kufirin për refugjatë të nacionaliteteve të tjera.
Për shkak të mbylljes së përkohshme të kufirit, në kalimin kufitar Idomeni i krijua një bllokim i qarkullimit. Aktualisht atje presin sipas agjencive të lajmeve rreth 4000 vetë. Ndër ata që presin, bëhet e ditur se ndodhen disa qindra afganë. Maqedonia po ndërton aktualisht në kufirin me Greqinë një gardh të dytë me tela me gjemba, për të penguar kalimet ilegale të kufirit.
Në emisionin Bericht aus Berlin (Informacion nga Berlini), Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz paralajmëroi për rrezikun që mund të vijë nëse mbyllet itinerari ballkanik. Nëse kjo rrugë do të bllokohet, Greqia do të kthehet në një “kamp të madh pranimi të refugjatëve.” Kjo nuk do të zgjidhë ndonjë problem, theksoi politikani socialdemokrat. Ai shpreson për një çelës evropian të shpërndarjes së refugjatëve.
De Maizière kritikon Austrinë
Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière kritikoi në të njëjtin program vendimin e qeverisë austriake për të caktuar kontigjente ditore. Fakti që shteti fqinj lejon çdo ditë të kalojnë tranzit për në Gjermani 3200 refugjatë, është “sinjal i gabuar”. Kjo shifër është “tepër e lartë”, tha ai.
Greqia hë për hë nuk i zhvendos afganët
Greqia i dënon të gjitha “masat e njëanshme” në krizën e refugjatëve. Deri sa “të sqarohet” situata, refugjatët afganë hë për hë nuk do të kalohen nga ishujt grekë në pjesën kontinentale, tha një zëdhënës i qeverisë. Me këtë Athina kërkon të pengojë që afganët të ngecin në territorin e askujt midis Greqisë dhe Maqedonisë.
Javën e kaluar, numri i refugjatëve që kaluan nga bregdeti turk në Greqi u rrit në mënyrë të konsiderueshme. Vetëm brenda tri ditësh, UNHCR-ja numëroi më shumë se 11.000 njerëz që erdhën, në një kohë kur mesatarja vjetore aktualisht është te 1700 vetë në ditë.
200.000 refugjatë që presin në Libi?
Nëse itinerari ballkanik do të mbyllet për refugjatët, qindra mijëra refugjatë mund të marrin rrugë të tjera për në Evropë. Sipas gazetës “Welt am Sonntag”, itinerare të ardhshme mund të kalojnë përmes Detit të Zi, Gjeorgjisë dhe Rusisë si dhe përmes Shqipërisë në det për në Itali.
Gazeta u referohet qarqeve të sigurisë, sipas të cilave aktualisht në Libi po presin deri 200.000 refugjatë, që të marrin rrugën e rrezikshme pëmes Mesdheut për në Evropë. Me sa duket ata presin sa të përmirësohet moti./dw/xlpress.tv/