Opinion

Kur të vret spiuni në emër të patriotizmit

KUR TË VRET SPIUNI NË EMËR TË PATRIOTIZMIT

Me logjiken e Nasim Haradinajt, Faton Klinakut e tipa si ata, Imer Mushkolaj, Veton Surroi, Shkelzen Gashi, Enver Robelli, Parim Olluri, Berat Buzhala, meritojnë plumba ballit. Me logjikën e njëjtë është vrarë Xhemajl Mustafa…

Po të ishim para vitit 2004, unë do të vritesha për ato që kam shkruan e thënë nga 2009-ta dhe për këto që po shkruaj sot.

Do të vritesha si spiun serb.

Për mendësinë e asaj kohe dhe të një pjese të sotshme, do ta meritoja plumbin.

Por, ironia do të ishte se mbase do të vritesha nga bashkëpunëtor të Serbisë, miq të ngushtë të komandantëve të UÇK-së.

Kësi ngjarjesh absurde kanë ndodhur gjatë dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë. E njëjta logjikë vazhdon edhe sot, megjithëse fuqia e ndëshkimit me plumb është e kufizuar.

Me logjikën e Nasim Haradinajt të veteranëve të luftës, të gjithë aktivistët e vrarë të LDK-së, e kanë merituar plumbin. Me logjikën e Faton Klinakut, Imer Mushkolaj meriton plumbin sepse “dëshiron” kthimin e Serbisë në Kosovë.

Me logjikën e njëjtë Veton Surroi tashmë dy dekada do të ishte i vdekur sepse guxoi ta quante fashizëm vrasjen e 14 pleqve dhe plakave të Grackës së Lipjanit menjëherë pas luftës.

Me logjikën e njëjtë, plumbin e meriton Shkelzen Gashi, sepse guxoi të thoshte publikisht se UÇK-ja ka kryer krime lufte.

Me të njëjtën logjikë do të vritej Enver Robelli, sepse guxoi për kaq shumë kohë të shkruaj për bandat, përfshirë atë të rastit të Kumanovës.

Po me këtë logjikë mbrëmë me të dalë nga emisioni Zona e B në Klan Kosova do të vritej, Berat Buzhala.

Me të njëjtën logjikë do të vritej, Parim Olluri për qindra artikuj të shkruar gjatë një dekade.

Sepse me të njëjtën logjikë janë vrarë qindra shqiptarë, aktivistë politikë, gazetarë e njerëz të guximshëm.

Megjithatë, një nga faktet që më ka intriguar shumë është pse disa bashkëpunëtorë të Serbisë janë vrarë dhe disa janë gjallë dhe kanë kapur majat e pushtetit?

Pse disa biznesmenë të cilët në të kaluarën kanë bërë biznes me vëllezërit Kariq, me ministrin e Milosheviqit – Mishkoviq janë gjallë, e pse disa dyqanxhinj e berberë fshati janë vrarë?

Se si u bë që Fahredin Gashi, miku më i ngushtë i komandantit të Policisë serbe në Shtime, Dragan Gjorgjeviq me të cilin kalonte edhe pushimet verore deri në fillimin e luftës, do të bëhej pjesë e UÇK-së dhe bashkëpunëtori më i afërm i Azem Sylës?

Gjithë këtë absurditet e kanë krijuar dy faktor: pushteti dhe paraja.

Prej kohës së instalimit të masave të dhunshme të Milosheviqit në Kosovë, Fahredin Gashi ishte miku me i ngushtë i komandantit të Policisë së Serbisë në Shtime. Në vitin 1998, kur e kishte parë shtrirjen e UÇK-së dhe mundësinë e çlirimit të Kosovës, Gashi – një biznesmen para dhe pas luftës kishte menduar të kalonte në aradhet e gueriles shqiptare.

Aso kohe ishte i bindur se po të binte në duart e UÇK-së, do të vritej. Këtë ia ka thënë hetuesve të Hagës në një dëshmi të dhënë pas luftës, e cila ishte publikuar katër vjet më herët.

Pasi kishte hetuar lakminë e disa komandantëve të UÇK-së, Fahredin Gashi kishte menduar që fillimisht ta dërgonte një kamion me mëlmesa – Vegetë në zonat e luftës.

Gradualisht kishte dhënë edhe para. Pasi kishte marrë garanci se nuk do të vritej si bashkëpunëtor i Serbisë, Gashi i ishte bashkuar UÇK-së.

Si pjesë e saj, kishte “luftuar” kundër forcave të mikut të tij, Dragan Gjorgjeviq. Me përfundimin e luftës, ai kishte arritur që të bëhej njëri prej më të besuarve të ish-komandantit të përgjithshëm, të UÇK-së, Azem Syla.

Tash si një patriot, Gashi kishte dalë në terren për të vrarë bashkëpunëtor të Serbisë dhe kundërshtarë politikë të PDK-së.

Viktima e tij e parë ishte Salih Gashi, një fshatar nga Varigovci i Lipjanit. Më 16 qershor, Gashi së bashku me Nazim Bllacën, kishte hyrë në shtëpinë e Salihut dhe e kishte ekzekutuar në prani të familjes së tij.

Vrasësi, miku i dikurshëm i Gjorgjeviqit, e kishte pushkatuar një fshatar të pashkollë rreth 70 vjeç “për bashkëpunëtor” të Milosheviqit.

Viktima të radhës së Fahredin Gashit dhe grupit të tij do të ishin Ibush Kllokoqi, Adem Salihaj, Agim Veliu, Ejup Visoka, etj.

Krimet e Gashit janë të vërtetuara nga Gjykata. Ai është i dënuar me 15 vjet burgim për vrasjen e Salih Gashit.

Logjika e njëjtë e të menduarit për një pjesë të elitës politike në pushtet është rikthyer fundvitin e kaluar. Përpjekjet e tyre për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale dhe presioni publik i përfaqësuesve të veteranëve të luftës, na kthejnë në kohën e para vitit 2004.

Pse gjithë kjo frikë nga Gjykata Speciale nëse kemi bërë luftë të pastër?

Mandati i kësaj gjykata kap dy periudha – atë të luftës 1998-1999 dhe atë të pasluftës – 1999-2000.

Nëse rilexojmë Ligjin për Gjykatën Speciale, do ta kuptojnë se çfarë krimesh janë kryer, veçanërisht në periudhën e pasluftës.

Në projektligjin për Gjykatën Speciale, brenda kapitullit të krimeve kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare janë ato vepra që kryhen si pjesë e ndonjë sulmi të gjerë ose sistematik të drejtuar kundër popullatës civile.

Aty hyjnë vrasja, shfarosja, skllavërimi, dëbimi, burgosja, tortura, përdhunimi seksual, skllavërimi seksual, prostitucioni i detyruar, shtatzënia e detyruar, përndjekja mbi baza politike, racore, etnike ose fetare, zhdukja e detyruar e personave dhe veprimet e tjera çnjerëzore dhe çdo formë tjetër e dhunës seksuale.

Në kuadër të kapitullit të krimeve të luftës janë sanksionuar vrasja e qëllimshme, tortura apo trajtimin çnjerëzor, përfshirë eksperimentet biologjike; shkaktimin e qëllimshëm të vuajtjeve të renda, apo lëndimeve të renda të trupit; shkatërrimin masiv dhe marrjen e pronës, të paarsyetuara me domosdoshmëri; detyrimi i të burgosurve të luftës apo të personave tjerë të mbrojtur; privimi i qëllimshëm i të burgosurve të luftës apo të personave tjerë të dëbimit apo transferimin e paligjshëm apo izolimin e paligjshëm dhe marrjen e pengjeve; shkatërrimin masiv dhe marrjen e pronës së paarsyetuar me domosdoshmëri etj.

Vepra tjera të sanksionuara janë privimi i qëllimshëm i të burgosurve të luftës apo të personave tjerë të mbrojtur nga e drejta për proces gjyqësor të drejtë dhe të rregullt, dëbimin apo transferimin e paligjshëm apo izolimin e paligjshëm dhe marrjen e pengjeve.

Aty përmenden sulmet kundër objekteve, dëbim i civilëve, dëmtim të pronave të tyre, dëmtime të objekteve fetare, e vepra tjera.

Çfarë kanë lidhje me luftën çlirimtare të gjitha këto vepra penale? A janë listuar rastësisht këto vepra në ligj, apo kanë bazë në krimet e ndodhura në terren?

Sigurisht se janë të bazuara në terren, pa paragjykuar se kusht mund t’i ketë kryer ato.

Pra, ditën që do të dorëzohet aktakuza e parë në Gjykatën Speciale do të ketë akuza të tilla, kryesisht për krimet e pasluftës dhe kryesisht për krime kundër shqiptarëve.

Thuajse të gjitha proceset gjyqësore kundër ish-komandantëve të UÇK-së që janë zhvilluar në Hagë dhe Kosovë, viktimat ishin shqiptarë etnik, të vrarë, burgosur e torturuar qoftë si të pandehur për bashkëpunim me Serbinë, qoftë kundërshtarë politikë.

Ironikisht mes të dënuarve për këto krime ka tipa si Fahredin Gashi, i cili vetë ka deklaruar se ishte bashkëpunëtor i Serbisë.

Në këto rrethana frika reale e kundërshtarëve të Gjykatës Speciale ka të bëjë me rrezikun që vetë të përfundojnë si të akuzuar dhe dënuar dhe krimet neveritëse që kanë ndodhur në Kosovë dhe për të cilat dikush do të japë përgjegjësi penale.

Gjykata Speciale pos që nuk do të zhbëhet, ajo nuk duhet të zhbëhet. Ajo është mundësia jonë e fundit që viktimat, kushdo qofshin ata të marrin trajtimin njerëzor dhe kriminelët të marrin dënimin e merituar.

Nëse nuk ndodh kjo absurditeti do të vazhdojë. Njerëz si Fahredin Gashi – miku i komandantit serb të Policisë në Shtime, do të kenë mundësi të vrasë edhe më tej “bashkëpunëtorë” të Serbisë, të cilët me logjikën e Nasim Haradinajt, janë Imer Mushkolaj etj.