Opinion

Krimet e Komunizmit dhe “imuniteti” i tyre shqiptar

Krimet e Komunizmit dhe “imuniteti” i tyre shqiptar

Agron Tufa

1.
Në epilog të disa romaneve të letërsisë realiste, si të Toslstoit, jepen me një stil të thatë raportues, të dhëna që rrëfejnë fatet e mëtejshëm të personazheve. Kemi të bëjmë me një truk artistik, pa ndonjë peshë të madhe për veprën, por gjithësesi intrigues për kurreshtarët që duan të dinë si u mbyll “historia”. Këto zgjatime të fateve të personazheve (sidomos në filma) shpesh kanë karakter ironik dhe pak a shumë formula na bën me dije, se “filani me filanen jetojnë e punojnë të lumtur dhe kan aq e kaq fëmijë, ndërsa keqbërësi iu nënshtrua dënimit. Aktualisht gjendet në burgun X të shtetit Y”.
Ndodh diçka e ngjashme edhe në librat me kujtime të shkrimtarëve dhe intelektualëve, të cilët dolën nga burgimet e gjata të diktaturës komuniste. Vepra të tilla tronditëse si “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit, “21 vjet burg komunist” të Uran Kalakullës, “Ridënimi” të Fatos Lubonjës, “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë” të Visar Zhitit, “Vilsoni dhe Genci” të Sadik Bejkos etj, etj…, e përdorin këtë përmasë rrëfimi për të treguar vazhdimin e fateve të persekutorëve të tyre, pasi jemi njohur më parë gjatë narrativës së librit me ligësinë dhe thelbin çnjerëzor të këtyre veglave të torturës.
Thuajse gjithë ish-xhelatët e komunizmit kanë një karrierë të shkëlqyer. Dikush po e mbyll shekullin e vet në majat e karrierës shtetërore e partiake (parlament, ministri), në institucionet e sotme të drejtësisë (gjykata, prokurori), dikush vazhdon ende të ushtrojë poste të rëndësishme në shërbimin diplomatik, dikush – në organizmat ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dikush tjetër – nga hetues e torturues gjakatar – drejton departamentin e Juridikut në Akdeminë e Policisë së Shtetit dhe jep po aty leksione mbi “Të Drejtën Penale”, pa folur për Institute, Fakultete e Akademi universitare private… Pothuajse të gjithë! Në mos ata vetë, së paku bijtë e tyre, patjetër…
Ka dhe një kategori tjetër që janë katapultuar që herët në aktivitetin privat, me zyra noteriale e avokatie, me firma e fondacione ku qarkullojnë qindramijëra e miliona, sikundër se ka, edhe prej atyre, që shijojnë idilën e pleqërisë në paqë e harmoni me kujtimet e veta të përgjakura në ndonjë qytet të Amerikës, Francës apo Belgjikës. Përgjithësisht fati i tyre po mbyllet si në filmat me “happy end” e më të rrallë (ndonëse kam përshtypjen se ca si shpesh!), na dalin papritmas nëpër ekranet televizive me një buzëqeshje babaxhane, si një urtak i qëmotshëm përrallash, si një gjysh zemërdhembshur, me gjoksin e zbukuruar nga dokoratat presidenciale nga urdhërat e nderit të klasit X e deri tek “Nderi i Kombit”. Do, s’do, ne që i kemi protagonizmat e tyre të djeshëm nëpër librat memuaristikë, duhet të vuajmë si palaçot dhe formatin e kriminelit, që drejtësia duhej t’ia dorëzonte Tribunalit, ta pranojmë si simbol të vetëdijes qytetare! Sigurisht do të ndjehemi pisk me shpjegimet që duhet t’u japim nesër fëmijëve tanë, të befasuar nga ekuivoku i të gjendurit midis dy të vërtetash. Nuk po flasim, se si ndjehen vetë ata qytetarë të mbijetuar prej duarve të tyre katile… kur përballën në zyra, instanca, dikastere, rrugë, media etj.
Por vjen një moment, qoftë dhe i rastësishëm, që kjo dyfishësi na vë në pozita të vështira etike. Mjafton një situatë diskrete për të kuptuar absurditetin e shoqërisë sonë, që fsheh dhe nderon fort kriminelët e vet.

2.
Një ndër dështimet më të hidhura të demokracisë shqiptare (nëmos më e hidhura e më e turpshmja në këto 20 vjet), është jo thjesht mungesa e vullnetit politik, madje as këmbëngulja fanatike për të mos i dënuar krimet e komunizmit, por faza e re, ajo e mohimit të tyre, e shqiptuar publikisht nga segmente të rëndësishme të establishmentit të sotëm politik. Klasa jonë politike rregullisht deri më tash ka bërë madje diçka edhe më këmbëngulëse se sa mosdashja dhe shpërfillja e thatë: ajo është përpjekur ta bëjë tërësisht absurde idenë e dënimit të krimeve të komunizmit jo nëpërmjet bishtnimit të çështjes, por duke e ngritur atë, për ta banalizuar, për ta shndërruar në një diskutim qesharak, në një skenar të lirë estrade. Të vetmet vendime që janë marrë nga qeveritë e djathta, përkundër vullnetit të opozitës, reduktohen gjithsej me disa skema të zbehta e fragmentare dëmshpërblimesh financiare për vitet e burgut, ndoca vendime e reoluta që nuk gjetën zbatim e nuk u pasqyruan në ligj. Spikama vetëm tek dëmshpërblimi financiar për të përndjekurit ka krijuar me kohë një imazh bezdisës e poshtërues në sytë e një pjese të oponionit publik, sikur gjithë halli i ish-të persekutuarve na qenkan paratë e vetëm paratë!
Por sa herë që shtrohet çështja e dënimit të xhelatëve të tyre, sa herë diskutohet qëndrimi që duhet të mbajë shteti demokratik ndaj së keqes së ngritur në sistem gjenocidial ndaj njeriut dhe lirisë në përgjithësi, atëherë zbulohet paaftësia për ta denoncuar dhe ndëshkuar të keqen me tërë zinxhirin e shkakut dhe pasojave. Atëherë flaka e panigjirikëve politikë e mediadikë lëmeket dhe goja e hapur, që duhet të shqiptojë të vërtetat e tmerrshme, degradon në gogësimë…
Jo! Viktimave të komunizmit nuk u duhen vetëm paratë! Askush nuk mund t’ua blejë aq lirë e poshtërueshëm lotët dhe zinë e të afërmve për njerëzit e pushkatuar, ende pa varr; as shekujt njerëzorë të kaluar nëpër burgje, internime dhe privime elementare! As edhe një ditë të vetme! Por në vend të drejtësisë, shohim me trishtim se kjo klasë ka mbetur thuajse siç ka qenë: e de-klasuar, e parehabilituar, e përjashtuar nga çdo formë respekti e nderimi për vuajtjet, e shpërfillur dhe e braktisur e, më në fund, e papërfaqësuar politikisht midis trashëgimisë së ardhangur komuniste, të shumëfishuar e të harlisur si gram i keq.
Ne i kemi fshehur viktimat e komunizmit e tok me ta, kemi fshehur nëpër dosjet e tyre prokurorët, hetuesit, gjyqtarët, spiunët dhe rekrutuesit e tyre, gjyqet dhe vrasësit në mesnatë; i mbajmë të mbyllura në arkiva veprat e tyre të zeza dhe nuk duam të dëgjojmë as rrëfimet e të mbijetuarve. Kështu, duke i mbajtur mbyllur në bodrume, ne mbajmë mbyllur historinë tonë në të trija format e kohës së ekzistencës sonë. Ua kemi mbyllur të gjitha udhët e shtigjet viktimave.
Kohët e fundit shteti shqiptar ka një Ligj Informimi të Dosjeve të Sigurimit, të cunguar, poshtërues, që shenjon vetëm shkallaren e fundit të diktaturës, me qëllim për t’i ripërdorur, për t’i riposhtëruar. Ky është një ligj që mbron pikërisht xhelatët. Edhe Autoriteti i këtij Ligji, që informon dhe i përcjell këto Dosje duke fshirë parapraprakisht bash emrat e personave që përbënin zinxhirin e dhunës, përfaqësuesve të dhunës së shtetit komunist, është një atentat i i me efekte të përllogaritura.
Çfarë kanë fituar viktimat e komunizmit sot? Sapo dalin nga shtëpitë e tyre ata do të ndeshen me mitet e komunizmit: me emra rrugësh e sheshesh publike, institucionesh të shkencës e kulturës dhe institucione të gjalla “dykëmbëshash” nëpër forume e auditore. Të mos flasim për currikulat shkollore parauniversitare (e universitare) ku tekstet e historisë, letërsisë dhe lëndëve shoqërore jo vetëm nuk kanë një fjalë të shkruar për krimet e komunizmit, po përkundrazi, periudha e diktaturës aty trajtohet në mënyrë fraxhile, me platonizëm.
Viktimat e komunizmit dhe pasardhësit e tyre janë lënë qëllimshëm në këtë gjendje, që të vdesin përbrenda vetes. Pak nga pak. Dalëngadalë. Nga njëri brez tek tjetri. Ekziston një narrativë cinike prej kohësh që predikon e këshillon, se “koha shëron çdo plagë!” Dhe që të realizohet vërtetësia e kësaj shprehjeje, vetë predikuesit politikë e shtetërorë kanë përveshur krahët, duke ia hyrë punës me fundament: duke shkatërruar çdo dëshmi, çdo gjurmë krimit. Ndërsa për publikun, predikuesit e kësaj pedagogjie të mashtrimit dhe alibisë përhapin një sensibilitet derdimen popullor: mjaft më me tmerre! Syri ynë duhet të pastrohet nga këto pamje! A duhet të vështrojëmë përpara? Kah utopia re (si dikur – komunizmin)? Dhe nëse pamja të vret sytë me shenjat e terrorit, me gërmadha burgjesh e kampesh të përzishme, atëherë këto shenja, thjesht duhen zhdukur nga faqja e dheut. Dhe ashtu u bë! Çfarë ta sheh syri, e zhdukim, çfarë ta fsheh errësira e bodrumit, e fshijmë, e manipulojmë, e djegim!
Idetë e ardhura nga Europa me mesazh të qartë, herë-herë dhe sanksionues, paraqesin në praktikën tonë shtetërore veçse trajtën e degjenerimit të tyre. Duke mos pastur as vullnetin, as ndjeshmërinë, e si rrjedhim as të kuptuarit adekuat, apeli për ndergjegjësim shtetëror përballë krimit historik nxjerr në pah një gaz satanik, që nga foltoret e Kuvendit deri në mediumet vasale të politikës. Kategori e nocione të tilla si “katharsis”, “lustracion”, “krime të komunizmit”, “pastrim i figurës morale”, “bashkëpunëtor apo titullar i organeve represive të diktaturës” etj, etj, konsiderohen si absurditete, blasfema, duke shpresuar se koha këtu ka një peshë të papërballueshme plakjeje e harrimi.
Ne që punojmë për të bërë publike “zemrën e errësirës” së krimit komunist në Shqipëri, persona privatë, shoqata apo institucione, e kemi mësuar këtë të vërtetë. Por e vërteta ka dy anë në Shqipërinë e trashëgimisë komuniste: njërën, teorike, politkorrekte, për axhenda imazhologjie që i serviret Europës burokrartike, dhe tjetrën, praktike, të përbindshme e perfide, që vazhdon të ndodhë në realitet, sistematikisht. Krimet e Komunizmit në Shqipëri kanë imunitet të padiskutueshëm shtetëror.
3
Ballafaqimi i Shqipërisë me Europën për të njëjtat çështje të kujtesës dhe krimeve të diktaturave, fatkeqësisht nuk ka sjellë asnjë reflektim shtetëror. Prandaj është me vend të bëjmë një krahasim me peisazhin ligjor europian të përballjes me krimet e komunizmit, në antinomi me imunitetin e tyre shqiptar.
Kështu, Komisioni Evropian, që në Dhjetor 2010 publikoi një raport për Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Evropës, me temën e sipërcituar . Në këtë raport, ndër të tjera, thuhet: “Drejtësia për viktimat është e rëndësishme për tranzicion të suksesshëm nga totalitarizmi në demokraci”. “Gjykimet e autorëve, mekanizmat e kërkimit të së vërtetës, hapja e arkivave, procedurat e lustracionit, rehabilitimi dhe kompensimi i viktimave dhe kthimi i pronave të konfiskuara, janë ndër mjetet kryesore për arritjen e këtij objektivi”. “Katër shtete anëtare të BE-së kanë legjislacionin kombëtar kundër mohimit të krimeve të kryera nga regjimet totalitare, i cili përfshin në mënyrë eksplicite krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste:
– Në Republikën Çeke: kodi penal përmban një vepër të veçantë për një person, i cili publikisht mohon, vë në dyshim, miraton ose përpiqet për të justifikuar gjenocidin fashist, komunist apo krime të tjera të nazistëve apo komunistëve kundër njerëzimit.
– Në Poloni: mohimi publik dhe kundërfaktual për krimet naziste, krimet e komunizmit dhe krimet e tjera kundër paqes dhe njerëzimit ose krimet e luftës është një vepër penale.
– Në Hungari: refuzimin publik, vënia në dyshim ose degradimi i faktit të genocidit dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit, të kryera nga regjimet kombëtare socialiste dhe komuniste – është një vepër penale.
– Në Lituani: lejimi publikisht, mohimi apo vënia në dyshim e krimeve ndërkombëtare dhe krimeve të kryera nga BRSS (Bashkimi Sovjetik), ose Gjermania naziste kundër Republikës së Lituanisë apo banorëve të saj, është një vepër penale”. Ka disa aspekte mbi të cilat po punohet, e që janë:
• Edukimi dhe ndërgjegjësimi
• Projektet kërkimore
• Simbolet e totalitarizmit
• Kuadri ligjor mbi mohimin e krimeve
Në raport gjithashtu citohet: “Më 16 qershor 2009, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme miratoi konkluzionet, duke deklaruar se: “Për të forcuar vetëdijen Evropiane të krimeve të kryera nga regjimet totalitare, kujtimi i të kaluarës së trazuar të Evropës duhet të ruhet, pasi pajtimi do të jetë i vështirë pa kujtimin”.
Ky pra, është qëndrimi i Europës reale dhe vendeve ish-komuniste të BE
Dhe, nëse Europa me përvojën e saj na mëson, se “pajtimi do të jetë i vështirë pa kujtimin”, politika e shtetit shqiptar është tepër e zënë me platformën e saj të amnezisë, duke ia lënë zëvendësimit biologjik të brezave fshirjen e të gjitha pikëpyetjeve: sa viktima të pafajshme ka shkaktuar terrori komunist? Kur, ku, nga kush e në ç’rrethana i pushkatuan, u burgosën e u internuan këta qytetarë? Ku i kanë varret mbi këta mijëra të pushkatuar? Çfafrë tragjedish hskaktoi në fatet e mijëra familjeve “lufta e egër e klasave”? Çfarë masash ka ndërmarrë shteti demokratik për fashitjen dhe rehabilitimin e kësaj traume kombëtare? Këto, sa për fillim, pa u shtyrë më tej në malin e morekujesë me pyetje të pafundme. Si duket sentenca cinike e J.V.Stalinit “Ekziston njeriu, ekzistojnë dhe shqetësimet: zhduke njeriun – të zhdukesh dhe shqetësimet”, – rreh e gjallë në zemrën e politikës së sotme shtetërore shqiptare.