Ekonomi

Kërkohet ndërrimi i politikave fiskale në vend

Oda Ekonomike Amerikane, është duke mbajtur tryezë me temën “Politikat fiskale”, ku po marrin pjesë panelistët: Bedri Hamza ministër i Financave, ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, Mimoza Kusari-Lila e po ashtu edhe drejtori i doganave të  Kosovës, Bahri Berisha.

Sipas Bedri Hamzës, ministri i Financave është e rëndësishme të flitet për politikat fiskale në 10vjetorin e Pavarësisë për shkak se, sipas tij, ligjet kanë ndryshuar qysh nga viti 2009.

“Kemi harmonizuar shumë ligje të cilat kanë ndikuar në politikat fiskale. Për tërheqje të investitorëve nuk kanë nevojë vetëm politikat fiskale, mirëpo edhe aspekte tjera si të sigurisë. Unë jam i përcaktuar për rritje ekonomike”, ka thënë Hamza, raporton “Zeri.info”

Ish-minsitrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se politikat fiskale të një vendi paraqesin muskujt e një shteti socio-ekonomik.

“Përpjekja e vazhdueshme për barazi e bizneseve kosovare me ato të rajonit është ajo që i ka karakterizuar politikat fiskale të kësaj dekade në Kosovë”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas Kusari-Lilës bazat ë politikës fiskale të Kosovës vijnë nga UNMIKU dhe këtë e sheh si disavantazh në rritjen e ekonomisë së Kosovës ndërsa disavantazh ajo sheh edhe mostabilizimin politik në vend.

“Mos krijimi i zonave ekonomike është dështimi i Kosovës në këtë dekadë. Stabilizimi politik mendoj duhet me qenë në rend të parë”, shtoi tutje ajo, raporton “Zeri.info”.

Avdullah Hoti, ish-ministër i Financave, thotë se hyrja në FMN ka ndikuar në stabilizimin e politikave fiskale.

“Sfidat në stabilizimin e politikave fiskale sipas tij janë: hetimi i luhatjeve në shpenzime, të ardhurat nga tatimet, investimet publike kapitale, rritja e shpenzimeve qeveritare”, ka thënë Hoti, raporton “Zeri.info”.

Rrezik për destabilizimin e politikave fiskale, Hoti i sheh politikat sociale dhe sipas tij, kjo është një sfidë serioze.

Në anën tjetër, drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, thotë se Doganat kanë luajtur një rol të rëndësishëm duke treguar që janë mbi 250 milionë taksa nga politikat fiskale.

Këtë ai e thotë bazuar në statistikat që i kanë nxjerrë nga të hyrat në Dogana, raporton “Zeri.info”.

Ai po ashtu vlerëson edhe rolin e MSA-së duke treguar se kjo marrëveshje ka ndikuar në zvogëlimin e pagesës për hyrjen e mallrave nga BE-ja.