Opinion

Kantonizim apo ndarje e Kosovës ndërmjet Shqipërisë e Serbisë

Kantonizim apo ndarje e Kosovës ndërmjet Shqipërisë e Serbisë
Nijazi Idrizi

Deklaratat kontraverze të kohëve të fundit të presidentit serb Aleksandar Vuqiq, për “pranimin” e realitetit të Kosovë, disa opinionistë, po i kualifikojnë si të guximshme dhe të padëgjuara deri sot nga udhëheqësit serb, ndërsa disa të tjerë, (që e njohin ekstremizmin e tij), po i shohin me dyshim.

Politika botërore u tregua e pafuqishme të arrij konsenzus për ta imponuar një status për Kosovën. Zgjidhja iu la në dorë protagonistëve të njëjtë të cilët kishin luftuar kundër njëri-tjetrit në luftë. Në këtë drejtim, për shkak të prezencës një shekullore në Kosovë, shtetit serb e kishte më mirë të mbuluar territorin e saj, në raport me strukturat e brishta dhe të papërvojë të Kosovë. Për ta drejtuar tavolinën e bisedimeve, Serbia, në vitin 2004, e hodhi karremin e nxitjes së trazirave. Serbët lokal u porositën ta bllokojnë rrugët, për ta paralizuar jetën në Kosovë. Shpejt pasoi reagimi i qytetarëve shumicë, për hapjen e rrugëve, ku për pasoj në Kosovë mbetën gjurmë të zjarreve dhe varre të viktimave. Mediat botërore i prezantonin ato skena, duke i sforcuar me komente të rënda për Kosovën, mu në kohën kur diplomacia e shteteve mike po lobonte për Pavarësinë e saj. Më pas procesi u rrokullisë drejt negocimit të ndarjes së Kosovës në territore etnike, duke ua njohur serbëve ekskluzivitetin mbi objektet e kulturës dhe civilizimit mesjetar, të ruajtura me aq fanatizëm nga shqiptarët.

Pasuan propozimet e zgjidhjes, “për mbrojtjen e interesave të etnitetit serb në Kosovë”, të cilat u bazuan vazhdimisht në copëtimin e territorit dhe ndërtimin e institucioneve paralele:

I. U formuan komunat etnike serbe, në hapësirat ku ata jetojnë me shumicë;

II. Pjesa veriore e Kosovës mbeti e kontrolluar nga Serbia me një status de fakto të pavarur politiko – territorial;

III. U formua de fakto Bashkësia e Komunave serbe.

IV. U nda me zonë buferike manastiret dhe kishat, duke u përvetësuar nga serbët, si trashëgimi e tyre;

V. U bë riorganizimi i pushtetit qendrorë në përputhje me gjendjen e re të krijuar pas ndarjeve të brendshme, duke e futur votimin e dyfishtë për minoritetet, për vendosjen e vetos;

VI. U hoq nga të gjitha agjendat e bisedimeve, Kosova Lindore si një mundësi për paralelizëm.
Funksionimit të Kosovës si i shtet demokratik i dhanë goditje të rëndë, individët me të kaluar kombëtare të dyshimtë të emëruar me presion të Serbisë në delegacionin kosovar, me kualifikime profesionale modeste nga shkollat e natës, të cilët me një fjalor patetik bolshevik, shkaktuan iritim në tavolinat e bisedimeve dhe nuk arritën ta mundin argumentin nacionalist serbe, “të mbijetesës së popullsisë serbe në Kosovë”. Në komunat etnike serbe, u përfshi mbi 30% të territorit të Kosovës.

Duhet të theksohet për të satën herë, se pala kosovare në bisedimet e Brukselit, asnjëherë nuk e ka shtruar asnjë kërkesë për qytetarët e Kosovës Lindore, së paku për ti inkurajuar ata të qëndrojnë në trojet e veta. Ata që në vitin 1992 ishin deklaruar me referendum për bashkim me Kosovën dhe kishin bërë luftë për këtë bashkim, u braktisën dhe u lanë të vetmuar ti bëjnë ballë politikave nacionaliste serbe.
Deklaratat e presidentit serb të ditëve të fundit, po paralajmërojnë hapjen e bisedimeve për tema të mëdha që kanë të bëjnë me territorin e Kosovës, si kusht për “njohje” të Pavarësisë së saj. Shtrimin e këtyre temave, pala serbe po e kërkon sot kur lidershipi i saj është forcuar nga rezultati i zgjedhjeve nacionale në Serbi në të cilat ata dolën favorit, me mundësi të garantimit të stabilitetit politik në vendimmarrje.

Në anën tjetër, në Kosovë, rezultati i zgjedhjeve, përkundër koalicioneve të gjëra, doli të jetë i ngushtë, me premisa të jo stabilitetit politike dhe vendimmarrje të paparashikueshme.
Ky raport nuk e favorizon Kosovën në fazën e tashme përmbyllëse të bisedimeve me Serbinë, ku do të hapen tema të mëdha me efekte për shumë gjenerata si: asociacioni +, vendosja e kufirit me Serbinë dhe do të përmbyllen me themelimin e kantoneve serbe ose ndarjen e Kosovës në mes të Serbisë dhe Shqipërisë.

Duhet të theksohet fakti se vazhdimi i bisedimeve me të njëjtit akter, pas themelimit të Gjykatës Speciale për krimet e UÇK-së, ka ngjallur shqetësim te njerëzit. Ata kanë frikë se përfaqësuesit e tyre të përmendur në raportet të ndryshme si të akuzuar të mundshëm, nga frika e kërcënimit me dosje, do të jenë jo vetëm të pabesueshëm por edhe të padenjë që ta përfaqësojnë Kosovën dhe të argumentojnë në dobi të saj. Serbëve, si palë në bisedime dhe si ofertë për koalicione qeverisëse, më shumë po i përgjigjen ish komandantët e shantazhuar e frikacak të luftës me të cilët ajo për çudi po duket se po merret vesh, se sa brezi evropian i të rinjve të VV. Këtë dyshim qytetarët e prezantuan në rezultatin e zgjedhjeve të 11 qershorit.

Tash në bisedimet e paralajmëruara, pritet që presidenti serb do t’ia shtroj palës kosovare (sipas të gjitha gjasave ish komandantit politik, Hashim Thaqi), një kërkesë të re! Ajo do të jetë kërkesa për themelimin e së paku pesë kantoneve serbe: kantoni i Ibrit, Graqanicës, Novobërdes, Moravës, Gorës etj. Këtë gjë në disa rasate e paralajmëroi presidenti serb, Aleksandar Vuqiq. Ai, (si duket), idenë e kantonizimit të Kosovës e ka bazuar në disa studime të porositura nga Sllobodan Millosheviqi në kohën e shpërthimit të luftës në Kosovë (1998), kur e kishte kalkuluar edhe mundësinë e humbjes së luftës dhe kishte kërkuar mendim profesional të disa Instituteve me dije specifike, për gjetjen e modelit më të mirë, “për mbijetesën e popullit serb në Kosovë”.

Vuqiq, do që ta kushtëzoj “njohjen” e Pavarësisë së Kosovës me themelimin e kantoneve serbe, me çka po synon edhe garantimin e territorit. Nëse kjo kërkesë do të refuzohet, ai do të këmbëngulë për ndarjen e Kosovës, në mes të Serbisë dhe Shqipërisë.