Opinion

Gjilani nuk do të lëshojë rastin

GJILANI NUK DO TA LËSHOJË RASTIN …

Sabit Rrustemi

Albin Kurti nuk e solli në Gjilan frymën e fitores, por frymën e nxitjes dhe të konfliktit ndërmjet gjilanasve.
Ai, nuk e shpalosi as Vizionin për Gjilanin por, urrjetjen ndaj pretendentëve për kryetarë të Gjilanit, Lutfi Hazirit e Zenun Pajazitit, të cilët realisht kanë mbështetje më shumë se i propozuari i tij.
Ai, nuk e mbështeti realisht as Sami Kurteshin por, përmes emrit të tij dhe në konakun e tij, fyu rëndë dhe shpifi sa mundi kundër dy pretendetëve real për ta marrë drejtimin e Gjilanit e, sidomos kundër Lutfi Hazirit po, edhe mbështetësve të shumtë të tij.
Ai, madje, nuk e paraqiti as Programin e kësaj Lëvizjeje për Gjilanin por, paraqiti aftësitë e tij për të fyer, etiketuar e nxitur turmën kundrejt atyre që s’mendojnë si ai, s’veprojnë si ai dhe nuk iu binden thirrjeve të tij.
Ai, madje shkoi dhe më larg, preku dhe në privatësinë e njërit prej pretendentëve më të mëdhenj për ta fituar Gjilanin, Lutfi Hazirin, duke përuruar botërisht , jo gjuhën e një lideri ( larg qoftë ) por, gjuhën e një rrugaçi.
Ai vetëm na bindi se SHIK-u e ndonjë shërbim tjetër,ishin dhe janë lule karshi Lëvizjes së tij.
Ai, me gjuhën, fjalorin dhe zgërdhirjen e tij, na dëshmoi se nuk është ndryshimi dhe as fati i mirë i Kosovës, por, zvetnimi dhe e keqja e këtij vendi.
Ai, harroi se është në Gjilan, në qytetin e paqes e të demokracisë, në qytetin e njerëzve të mirë e mikëpritës, në qytetin i cili ka dhënë shumë për Kosovën e shqiptarët.
Ai madje harroi se pikërisht ata të cilët provoi për t’i përulur e fyer më fjalorin e tij tejet patetik, Lutfi Haziirin e Zenun Pajazitin, shumë më shumë se ai e duan, e çmojnë dhe kanë kontribuar e kontribuojnë për Gjilanin.
Çuditërisht, disa nga ata që thirren ende si gjilanas, si Hydajet Hyseni, Shemsi Syla, e ndonjë tjetër, në vend se t’ia tregojnë derën, heshtën. Heshti dhe vetë Sami Kurteshi, i cili pati rastin të distancohej nga ai fjalor tepër fyes, sidomos ndaj Lutës, duke shkelur kështu, jo vetëm në nderin e tij dhe të familjes së tij po, edhe të atyre që e kishin mbështetur në ditët më të vështira, në mesin e të cilëve ishte dhe babai i Lutës, tashmë i ndjeri baca Emrush, për të cilin jo fort moti kishte thurrur elozhe.
Me një fjalë, Sami Kurteshi për një post të cilin e pretendon kot, shkeli bukën e ngrënë dhe, edhe traditën shqiptare, pak nga ëndja e tij e, më shumë i nxitur prej “liderit” të tij.
Samiu e lëshoi rastin për ta fituar besimin e gjilanasve, kurse Albini për t’u përurua si lider i njëmendtë.
Por, Gjilani nuk do ta lëshoi rastin për t’i ndëshkuar me votë. Dhe, jo më larg se në këtë të diele…

Zhegër, 20 tetor 2017