Gati për “3G”

0

Operatori i dytë i telefonisë mobile “IPKO” më 1 dhjetor të këtij viti, do të fillojë ofrimin e shërbimeve në rrjetin e avancuar “3G”. Ndërkaq, operatori publik “Vala” edhe më tutje është në proces të përgatitjes, por përfaqësuesit e saj deri më tash nuk kanë dhënë ndonjë detaj rreth kohës së kur do të fillojnë me ofrim të shërbimeve.

Alban Kastrati, drejtues i Departamentit për Marrëdhënieve me publikun në kompaninë “IPKO”, ka thënë për gazetën “Zëri” se “IPKO” ka qenë e gatshme të lansojë “3G”-në në Prishtinë dhe në disa qytete tjera që nga pranvera e këtij viti.

Sipas tij, në qershor të vitit 2013, “IPKO” i kemi kryer disa teste bazike në zona të kufizuara, dhe që nga ajo kohë ka qenë në pritje të vendimit administrativ të ARKEP-it, i cili do të na lejonte lansimin zyrtar të shërbimeve në “3G”. Sipas tij, bazuar në vendimin e ARKEP-it, i cili është lëshuar në fillim të këtij muaji, “IPKO” do të fillojë me shërbimet “3G” në dhjetor të 2013.

“Deri në ditën e lansimit, ne jemi duke bërë përpjekje maksimale që të kemi sinjal në zonat më të populluara urbane, duke përfshirë qytetet dhe qytezat më të mëdha në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas tij, pas mbulimit të zonave më të populluara urbane me rrjetin “3G”, “IPKO” do të vazhdojë me zgjerimin e rrjetit “3G” edhe në zonat tjera të vendit, për t’u bërë ofruesi i parë dhe më i madh i shërbimeve të “3G”-së në Kosovë.

“Me gjeneratën më të re të rrjetit ‘3G’, ‘IPKO’ do të mund të ofrojë internet disa herë më të shpejtë mobil, dhe me shumë kapacitet për përdorim të internetit nga përdoruesit privatë dhe ata të bizneseve, të cilët përdorin pajisje mobile që e mbështesin rrjetin ‘3G”, ka thënë ai.

Më tej, ai ka shtuar se me “3G”, përdoruesit e telefonisë mobile “IPKO” do të kenë përvojë të re të përdorimit të pajisjeve të tyre mobile që lidhen me internet, dhe përdorim të të gjitha funksioneve dhe specifikave të cilat ata i kanë në pajisje të mençura mobile.

Në anën tjetër zyrtarë të Departamentit për Marrëdhënie me Publikun të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), bëjnë të ditur se PTK-ja është aktualisht duke punuar për zhvillimin dhe implementimin e rrjetit “3G”.

”Menaxhmenti i PTK-së është duke intensifikuar përgatitjet e nevojshme teknike që brenda një afati sa më të shkurtër kohor të fillojë së realizuari projektin e rëndësisë së veçantë, siç është ofrimi i shërbimeve të reja të telefonisë mobile për të gjithë konsumatorët e saj”, thuhet në përgjigjen e Departamentit për Relacion me Publikun të PTK-së.

Po ashtu, sipas tyre, realizimi dhe implementimi i këtij projekti jo vetëm që do të përmbushë kërkesat në rritje të konsumatorëve të “Valës”, por siç thonë ata, në të njëjtën kohë do të ndikojë pozitivisht edhe në gjenerimin operativ dhe financiar të PTK-së në kushtet e konkurrencës.

Por, në anën tjetër zyrtarë të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare(ARKEP), kanë thënë se sipas vendimit të ARKEP-it, operatorëve iu lejohet lansimi i produkteve të gjeneratës “3G” e tutje prej datës 1 dhjetor 2013.

Sipas tyre, operatorët do t’i bëjnë publike çmimet për shërbimet e rrjeteve të gjeneratave të ardhshme, si dhe pakove të ndryshme të komunikimit.

“Operatorët janë të obliguar që të mbajnë nivelin e kërkuar të mbulueshmërisë për shërbimet e gjeneratës aktuale (2G), kurse dinamikën e mbulimit me shërbimet ‘3G’ do ta përcaktojnë vetë operatorët të cilët edhe kanë interes që të rrisin mbulueshmërinë”, thuhet në përgjigjen e ARKEP-it.

Çka është 3G?

“3G” është një teknologji e re, e cila mundëson transmetim të të dhënave me cilësi dhe shpejtësi të lartë. Këto të dhëna mund të jenë foto, video, lajme në kohë reale nëpërmjet shërbimit të internetit me shpejtësi shumë të lartë, të tilla që mund të ofrojnë përdorimin e shërbimeve të ndryshme, si: p.sh telefonata me video (video call), internet të shpejtë, TV në celular etj.

Kjo teknologji përfshin një grup standardesh të larta, të cilat mundësojnë për përdoruesit komunikimin në bandë të gjerë duke krijuar efektivitet të lartë në telefonata dhe në transmetimin e të dhënave. Standardi evropian për “3G” njihet si UMTS – Sistemet Universale të Telefonisë së Lëvizshme.

Versioni më i zhvilluar i “3G”-së përfshin: Komunikimin me Shpejtësi të Lartë (teknologjia HSPA+), e cila përfshin: Shkarkimin e të dhënave me shpejtësi të lartë (HSDPA) dhe Ngarkimin e të dhënave me shpejtësi të lartë (HSUPA).

 

SHPËRNDAJE

S'KA KOMENTE