Opinion

Efektet e para të kravatës çudibërëse të Kurtit

Efektet e para të kravatës çudibërëse të Kurtit

Ndërsa të gjithë po besonin se Vetëvendosja do preferonte skenarin e përsëritjes së zgjedhjeve, me besimin se do të përmirësonte dhe më shumë rezultatin e vet zgjedhor, Albin Kurti i bëri thirrje koalicionit LDK-AKR që të fillonin bisedimet për qeverisje të përbashkët. Madje ai thirri në bisedime dhe deputetë të veçantë të AAK-së dhe Nisma-s që janë në bllokun tjetër me PDK-në si pol (si tha Kurti) që t’i bashkohen atij në qeverinë e re.

Kjo ftesë në pikëpamje të rendit të veprimeve parashikuar nga kushtetuta, nënkupton dështimin e bllokut tjetër rrotull PDK-së, për të krijuar qeveri. Pra, Presidenti Thaçi do të mandatojë Haradinajn si kryeministër i bllokut PAN dhe pas dështimit të Haradinajt, do të mandatojë Kurtin. Gjithmonë nëse Presidenti nuk vendos për shembull të mandatojë dhe një figurë të dytë brenda PAN si lë të kuptojë vendimi absurd i Gjykatës Kushtetuese i datës 1 korrik 2014, një vendim që e veçon Kosovën nga gjithë vendet me kushtetutë të ngjashme.

Në këtë veprim të Kurtit, kah konstruktiviteti, qasje që ai ngjan se e ka përqafuar së bashku me veshjen e re, kravatën veçanërisht, kanë përcaktuar disa faktorë.

Së pari, kompaktësia e shpallur e bllokut tjetër LDK-AKR për të mos bërë koalicion me PDK-në në asnjë rast. Dhe nevoja për të ruajtur këtë kompaktësi imponon veprime të shpejta nga ana e Kurtit. Pra synohet të shkurtohet koha që të pengohen shitblerjet politike që mundet ta minojnë këtë kompaktësi. Kompaktësia garantohet nëse joshjet e kampit tjetër neutralizohen me joshjet që vijnë nga Kurti për postet brenda qeverisë së tij. Madje dhe vetë Kurti dëshiron që tani të joshë palën tjetër, më saktë deputetë të veçantë që t’i bashkohen atij në një bllok të ri, udhëhequr prej tij dhe jo prej Haradinajt, ndërsa peshku është ende në det.

Së dyti, Kurti synon të japë idenë se është konstruktiv përpara bashkësisë ndërkombëtare që është gjithë sy dhe veshë për sjelljet e tij. Dhe ai zgjedh këtë skenar të krijimit të qeverisë me shpejtësi, pas ftesës së Bashkimit Evropian që Kosova të krijojë sa më shpejt institucionet e veta. Duke bërë këtë, ai ia lë topin palës tjetër, që « të dështojë shpejt », dhe të mos vonojë proceset e krijimit të institucioneve. Duke u vonuar, pala tjetër vetëfajësohet.

Së treti, Kurti, dëshiron të sillet si partia e parë fituese e zgjedhjeve, pra të krijojë një avantazh psikologjik ndaj palës tjetër dhe në opinion publik. Ai synon të fitojë pikë si njeriu që po krijon një qeveri me shumicën dërrmuese të votave në parlament, madje dhe pa ndihmën e partive serbe apo të pakicave, diçka që i pëlqen atij veçanërisht shumë.

Së katërti, ai nuk ngjan se bën kompromise të mëdha ndërsa përballë tij në LDK është Isa Mustafa, por si kandidat për kryeministër ishte një figurë tjetër, të cilën partia e tij nuk e ka kontestuar apo nuk i ka bërë diçka të ngjashme me atë që i ka bërë Mustafës.

Por pavarësisht këtyre elementëve taktikë, përballë çdo qeverisje të ardhshme të Kosovës, pra dhe Kurtit nëse do të ketë mandatin e kryeministrit, ka disa detyra, që përkthehen: ingoiare il rospo- (të gëlltisësh bretkosën në italisht). Domethënë të pranosh diçka që është shumë e vështirë, por se duhet ta bësh. Do duhet të pranojë demarkacionin me Malin e Zi, Asosacionin e Komunave dhe formatin aktual të bisedimeve me Serbinë, për të cilat tashmë zoti Thaçi angazhohet se do të zhvillohen në format presidencial.

Nëse Kurti nuk do pranojë secilën prej këtyre formulave, apo do t’i shtynte në kohë me zgjidhje të sforcuara (arbitrazh, rishikim kushtetues, etj) do të thoshte se ai do të shtynte dhe më liberalizimin e vizave, diçka të cilën do ia përmendnin me qejf rivalët e vet.

Por le të presim të shohim, se ç’do të shpikë mendja e tij krijuese, në sfidën më të vështirë të jetës së vet. Kur midis marrjes së detyrës së kryeministrit dhe ndejtjes akoma në opozitë qëndron një fije shumë e hollë. Nëse do vijojë të bëjë konstruktivin si deri më tani, zgjidhja përfundimtare do të jetë e vështirë, por ai do bëhej kryeministër. Vetëm nëse ai pranon paraprakisht këto kushte, perëndimi do heqë veton ndaj tij. Kësisoj ai do duhej të heqë dorë nga kauzat politike të mbështetura deri më tani, me të gjitha mjetet politike dhe të protestës. E kjo do të përkthehej në cënim të pikës më të fortë të tij-koherencës politike.