Opinion

E drejta për vdekje të dinjitetshme

Flamur Hyseni dhe Burim Haliti

Mosofrimi i ndihmës paraqet krizë shoqërie dhe ky gjest i këtyre qytetarëve nënkupton se, ne jemi ende larg për ta kuptuar jetën në kolektiv (shtet). Në shoqëritë e zhvilluara ofrimi i ndihmës është element social i theksuar dhe vlerë humane e përfillshme duke marrë si shembull shoqërinë japoneze, gjermane, amerikane, franceze, angleze etj., të cilat çdo ditë e kultivojnë një ndjenjë të tillë dhe ndoshta ndjenja më e mirë në këto shoqëri që një qytetar e përjeton është atëherë kur ata e ndihmojnë njëri-tjetrin

që ndodhi me 63-vjeçarin në Gjilan është shqetësues për secilin që ka ndërgjegje. Teknologjia po na mundëson të shohim edhe veprimet më johumane dhe më jonjerëzore. Nga videoja që pamë vërehet saktë se si disa kalimtarë rasti gjatë ecjes në këmbë dhe duke drejtuar makinat e tyre nuk u bënë përshtypje as minimale, së paku të afrohen afër personit të shtrirë skaj rrugës për t’u përpjekë sadopak t’i ofrojnë ndihmë minimale, apo të kenë kureshtje se çfarë po ndodhë me të? Kjo është vërtet shqetësuese.

Organizimi shoqëror ka një specifikë të veçantë pasi që është element, i cili është kultivuar që nga kohërat e lashta dhe është perfeksionuar në kohërat aktuale në mënyra të ndryshme nga shoqëri të ndryshme. Tradicionalisht shoqëria shqiptare është treguar solidare dhe humane në mbështetjen e njëri-tjetrit për çfarëdo situate në të cilën është gjendur dikush. Veprim i këtyre qytetarëve (mosofrim të ndihmës) nënkupton se po ikim nga tradita pozitive të cilën e kemi pasur si shoqëri dhe po shkojmë drejt një jete individuale, e cila nuk është as vlerë perëndimore dhe as lindore. Thjesht është gjendje apatie. Ne si popull, jemi dëshmuar në periudha të ndryshme historike se kemi ndihmuar njëri-tjetrin dhe kategoritë e ndryshme sociale janë ndihmuar mes vete, duke filluar nga ata: që janë të pasur ndaj atyre që nuk janë të pasur (shembulli i mërgatës sonë), në aspektin fetar e kemi zhvilluar tolerancën fetare, në aspektin racor kemi mbrojtur hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore, në aspektin arsimor kemi zhvilluar shkollimin pa institucione (1990-99), në aspektin edukativ dhe sportiv kemi organizuar gara dhe kemi zhvilluar artin. Andaj, këto veprime qytetare nuk janë në domenin e shoqërisë shqiptare.

Shteti është kujdesur që veprime të tilla të mos i lë vetëm në vullnetin e lirë të qytetarit, por e ka rregulluar me akt juridik (Kod penal), që qytetari është i obliguar të ofrojë ndihmën ndaj personit të cilit i është rrezikuar jeta me kusht që këtij personi (ofruesit të ndihmës) të mos i rrezikohet jeta.

Mosofrimi i ndihmës paraqet krizë shoqërie dhe ky gjest i këtyre qytetarëve nënkupton se, ne jemi ende larg për ta kuptuar jetën në kolektiv (shtet). Në shoqëritë e zhvilluara ofrimi i ndihmës është element social i theksuar dhe vlerë humane e përfillshme duke marrë si shembull shoqërinë japoneze, gjermane, amerikane, franceze, angleze etj., të cilat çdo ditë e kultivojnë një ndjenjë të tillë dhe ndoshta ndjenja më e mirë në këto shoqëri që një qytetar e përjeton është atëherë kur ata e ndihmojnë njëri-tjetrin.

Këto veprime jo vetëm që janë të ndëshkueshme në aspektin ligjor, human dhe moral, por po ashtu janë veprime që nuk përkojnë edhe me elementin fetar.

Mos ofrimi i ndihmës përveç se është përgjegjësi juridike, njëherësh në aspektin social dhe moral është një turp për ata persona që nuk shfaqën pikë ndjenje humane dhe shoqërore. Meqenëse ka dështuar elementi social në këtë rast, atëherë i mbetet në dispozicion sistemit të drejtësisë që këtë element themelor të shoqërive moderne ta materializojë duke i bërë përgjegjës qytetarët, të cilët nuk veprojnë sipas rregullave morale e humane dhe sipas dispozitave juridike.

Në secilën shoqëri të organizuar siç duhet, shteti si organizatë kryesore dhe me organizimin më të mirëfilltë, disa vlera shoqërore kryesore i mbron fillimisht duke i promovuar në Kushtetutë dhe pastaj duke i mbrojtur edhe me ligje. Ndër vlerat kryesore shoqërore është edhe jeta e njeriut. Në rastin konkret edhe dinjiteti i tij. Secili e meriton të ketë vdekje të dinjitetshme. Shtrohet pyetja, qytetari 63-vjeçar a pati një vdekje të tillë? Ai mund ta kishte, por këtë e pamundësuan bashkëqytetarët e tjerë të pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm që nuk u afruan pranë tij që t’ia “lehtësojnë vdekjen”, t’i qëndrojnë pranë në amanetin e fundit.

Pyetjet kyç janë: se a mos ndoshta nuk i kanë ditur zakonet dhe doket shoqërore dhe familjare? Nuk e kanë ditur se e kanë obligim dhe mund të bien ndesh me ligjin

Nga videoja vërehet se që të gjithë qytetarët kalimtarë janë të moshës madhore, nuk arsyetohet se ka mund të ndikojë tek ata gjendja e frikës nga i vdekuri, por mund të arsyetohet se ka ndikuar gjendja e apatisë dhe paditurisë. Ata që nuk kanë dhënë ndihmën, apo së paku nuk treguan gatishmëri për ofrim minimal të ndihmës kanë shkelur një normë kryesore, jo atë ligjore, sepse edhe kanë mund të mos e dinë që ekziston, se fundja ka mundësi që nuk ka pas kush t’i njoftojë gjatë shkollimit të tyre fillor dhe të mesëm. Por, ata domosdo është dashur dhe duhet ta dinë se ekziston një normë e moralit, e cila ka një sanksion shumë të ashpër që është brejtja e ndërgjegjes. Kjo normë mësohet dhe ekziston në secilën familje. Kjo normë është normë themelore e secilit institucion të shenjtë që quhet familje. Me rastin e 63-vjeçarit, institucionit të shenjtë familjes i është rrezikuar norma themelore – norma e moralit, nga e cila normë varet edhe edukimi i secilit qytetar të kësaj shoqërie.

Ky rast e dëshmon se në familje ende mbizotëron edukimi negativ dhe primitiv, duke i porositur dhe edukuar fëmijët në frymën e së kaluarës tonë të hidhur se, ajo çka ndodh jashtë oborrit mos të intereson, pra, tipi i edukimit: “ruju, shiko punën tënde, bëhu sikur nuk ke pa asgjë, të del telashe me dërzhavë dhe milici, e njëqind probleme tjera, gjithë vitin nuk mund të shkoqesh nga deklaratat e ç’deklaratat, dëshmitë e ç’dëshmitë…”

Ky rast dhe përfundimet e këtij rasti duhet të na shërbejnë si mësim se, përfundimisht duhet dhënë fund tipit edukues se ajo çka ndodh jashtë oborrit të shtëpisë të mos na interesojë. Tani e tutje, pikërisht ajo çka ndodh jashtë oborrit të shtëpisë duhet të na interesojë shumë. Shteti dhe Policia janë tonat, qytetari dhe secili nga qytetarët është pjesëtar i shtetit.

Profesionistët e drejtësisë nuk duhet të shikojnë për të gjetur mundësinë që t’iu nxjerrë më pak punë në zbardhjen e rastit, por mundësinë ku del shumë punë për ta përdorur rastin e tillë për ta parandaluar rastet e tjera.

Kodi penal në rastin e tillë dhe dispozita mbi mosdhënien e ndihmës, fillimisht është si titull gabim, se është mohues – negativ ku përcaktohet “neni 191, Mosdhënia e ndihmës”, që duhet me qenë pozitiv “Dhënia e ndihmës”, e pastaj me tregu se, “ata që nuk e japin ndihmën dënohen me…” Dispozita si e tillë, le shumë për të manovruar – manipuluar dhe, e cila çon nga mundësia e mbylljes së rastit si vdekje natyrore, pa u marrë fare me ata që nuk u përpoqën të japin ndihmën e tyre edhe pse aspak nuk ishin të rrezikuar në rastin e tillë. Pra, cila është arsyeja e secilit prej tyre, pse nuk e dhanë ndihmën? A është arsye: kam qenë për ngutë; kam pasur frikë; unë shikoj punët e mia se jam jashtë oborrit tim; thjesht nuk më intereson; se kam parë; e shumë e shumë arsye të tjera të paarsyeshme.

Prandaj, qytetar i Gjilanit dhe gjithë Kosovës, interesohu për punët dhe ndodhitë edhe jashtë oborrit, sepse së pari, e ke obligim si qenie njerëzore, pastaj e ke obligim nga normat morale familjare dhe për mospërpjekje në dhënie të ndihmës personit që ka nevojë mund edhe të dënohesh sipas ligjit. Interesohu sepse dënohesh.

Mësues në shkollë fillore dhe të mesme, sidomos ju që i mësoni fëmijët për edukatë qytetare, mësoni se jeta e njeriut është e pazëvendësueshme, mësoni se, duhet dhënë ndihmë secilit pa dallime, mësoni se duhet të jenë aktiv jashtë oborrit të shtëpisë dhe duhet t’iu interesojë shteti dhe institucionet e tij, sepse vetë ata/ato janë vetë shteti dhe institucionet e tij.

luftojeni apatinë dhe zgjohuni, humbni pak kohë gjatë ditës duke iu treguar fëmijëve tuaj se, njeriu siç ka të drejtë të jetojë dinjitetshëm, ka të drejtë edhe të vdesë dinjitetshëm.