Ekonomi

Çmimet e banesave mund të ulen nëse nuk ka kërkesa të diasporës

Çmimet e banesave në Kosovë mund të ulen nëse gjatë këtij viti vazhdon ulja e kërkesës së diasporës për blerje, ashtu siç ka ndodhur vitin e kaluar. Kështu tha për Radio Kosovën zyrtari i Bankës Botërore, Agim Demukaj. Mirëpo, ndërtuesit nuk bëjnë aq shumë ndërlidhje të çmimit të banesave me ofertën e kërkesën, sa me kualitetin e ndërtimit dhe çmimin e tokës.

Gjatë vitit të kaluar ka pasur rënie të investimeve të huaja direkte dhe kjo ka ndodh për shkak të uljes në radhë të parë të kërkesës së diasporës për blerje të banesave, thotë zyrtari i Bankës Botërore në Kosovë, Agim Demukaj.

“Kemi pa një që ne e konsiderojmë fillim të ngopjes së kërkesës në radhë të parë të diasporës tonë, për të financuar në rezidencë, apo në shpija e banesa”, ka thënë Demukaj.

Qytetarët gjithmonë janë ankuar për çmimet e larta të banesave në vend. Rënia e interesimit, përkatësisht fillimit të ngopjes së diasporës, sipas Demukajt, mund të ndikojë në uljen e çmimit.

“Duhet me i dhënë kohë tregut, për të shikuar se ai ngadalësim që ka ndodh vitin e kaluar a do të qëndrojë si ngadalësim këtë vit, apo do të kthehet prapë. Nëse kthehet prapë kërkesa për banesa, atëherë çmimi do të mbetet i lartë. Ndryshe, tregu reagon por jo menjëherë”, thotë Demukaj.

Ndërtuesi, Hashim Deshishku, pranon se është shënuar ulje e shitjes së banesave, ndikuar nga ulja e remitencave, por jo edhe ulje e theksuar e çmimeve.

“Shitja e banesave ka rënë në kompanitë e ndërtimit, por çmimet kanë rënë shumë pak edhe hiç, për arsye se çmimi i ndërtimit dhe çmimi i tokës neve na kushton. Kështu që nuk mund t’i zbresim çmimet në atë nivel, që të kemi humbje. Për arsye se nuk varet që nëse bie blerja e banesave, duhet të ulet edhe çmimi”, tha Deshishku.

Kurse ndërtuesi tjetër, Qemajl Pozhegu, thotë se ulje të çmimit ka pasur te banesat me kualitet më të dobët.

“Sigurisht çmimet kanë rënë te banesat që janë të njohur me kualitet më të dobët, mund të them se ka rënë çmimi. Mirëpo ne si kompani jemi munduar të mbajmë çmimin në nivel optimal duke ofruar një kualitet më të lartë”, thotë Pozhegu.

Ndryshe, investimet e diasporës në blerje të banesave, përkatësisht patundshmërive të tjera, sipas Bankës Botërore, përfshijnë rreth 60% të investimeve të huaja direkte në Kosovë.