Kulturë

Çeku: Panairi i Turizmit në Tiranë, dritare e vlefshme për ndërkombëtarizimin e turizmit të Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në “Qeverinë Rama 2”, ka emëruar edhe katër shtetas të Kosovës në postin e zëvendësministrave, dhe njëri prej tyre është Hajrulla Çeku, zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit.

Janë bërë zyrtarisht pak më shumë se tre muaj që zv.ministrat nga Kosova janë në këto pozita.

Çeku, në një prononcim për Koha.net, ka folur më gjerësisht në lidhje me synimin e tij për bashkëpunim më të madh mes Kosovës dhe Shqipërisë gjë që do ta bënte edhe Kosovën pjesë të turizmit botëror.

Ai ka thënë se është thellësisht i bindur që Kosova posedon gjithçka është e nevojshme për t’u shndërruar në një destinacion atraktiv të turizmit botëror.

“Me pasuritë e rralla kulturore dhe natyrore, një skenë shumë aktive artistike, gatime dhe kuzhinë të veçantë, dhe me pasurinë kryesore, njerëzit që shquhen me ngrohtësinë e mikpritjes, Kosova është një potencial i jashtëzakonshëm në pritje të eksplorimit. Ndërkohë, për të qenë sa më konkurrent në një treg botëror, turizmi që po rritet me dinamikë të madhe, bashkëpunimi rajonal është kushti i domosdoshëm i zhvillimit të turizmit. Dhe rruga më e mirë për të nxitur këtë bashkëpunim është afrimi mes operatorëve turistikë dhe organizatave të tjera për të zhvilluar produkte të përbashkëta kulturore si pjesë të ofertës rajonale të turizmit”, ka thënë zv/ministri Çeku.

Ndërkaq, në lidhje me përshtatjen e tij në pozitën ekzekutive në Shqipëri, Çeku ka thënë se asnjëherë nuk e ka ndier Shqipërinë si vend të huaj dhe për këtë arsye “adaptimi nuk ishte i vështirë”.

“Për shkak se turizmi dhe mjedisi janë dy sektorë shumë dinamikë, nga dita e parë e ardhjes këtu jam përfshirë në punët që veçse ishin në realizim. Në aspektin shoqëror jam pritur jashtëzakonisht mirë, njerëzit janë tejet miqësorë dhe nuk e fshehin aspak gëzimin për faktin që në qeverinë e Shqipërisë ka edhe zëvendësministra nga Kosova”, u shpreh ai.

Sipas tij, vështirësia më e madhe e punës në turizmin e Shqipërisë është nevoja për të qenë në hap me trendët e zhvillimit dhe rritjes së sektorit, që natyrisht ndikohet edhe nga dinamikat botërore të turizmit.

I gjithë ky presion, siç thotë zv/ministri Çeku, e bën qeverinë shqiptare të jetë më proaktive, dhe punën e tij shumë sfiduese dhe në të njëjtën kohë atraktive.

Ai tha se ndjen kënaqësi të veçantë, me gjithë dinamikën e madhe të punëve, që është bërë pjesë e përpjekjeve të qeverisë së Shqipërisë për të rritur ndikimin e turizmit në ekonominë e vendit, që përkthehet në vende të reja pune dhe standard të përmirësuar të jetës për shqiptarët.

Zv/ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Hajrulla Çeku, tregon për punët që ka kryer nga koha që ka marr këtë post në Qeverinë e Shqipërisë.

Thotë se në fokus ka qenë konsolidimi i kuadrit ligjor dhe i politikave, zbatimi i standardeve dhe nxitja e investimeve.

“Ne tashmë kemi mbyllur draftin e Strategjisë Kombëtare të Turizmit 2018-2022 dhe kemi nisur diskutimin me palët e interesit. Strategjia është një politikë shumë e rëndësishme për ne, pasi që bashkon të gjithë aktorët e turizmit rreth një vizioni të përbashkët të zhvillimit të turizmit dhe rreth një plani të përbashkët veprimi. Konkretisht, strategjia përcakton objektivat dhe masat për arritjen e objektivave si diversifikimi i ofertës turistike të vendit, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve, promovimi i Shqipërisë si destinacion i turizmit gjithëvjetor, nxitja e investimeve strategjike dhe menaxhimi efektiv i destinacioneve turistike”, ka thënë Çeku për Koha.net.

Si shtesë ndaj atyre ekzistueseve, Çeku thotë se në dhjetor të vitit të kaluar është votuar edhe pakoja e re e lehtësirave për të nxitur investimet private në turizëm.

“Aktualisht jemi duke shqyrtuar një numër jo të vogël kërkesash nga investitorë potencialë vendorë dhe të jashtëm për të zhvilluar një ofertë shumë cilësore turistike përmes ndërtimit të hoteleve dhe resorteve me 4 dhe 5 yje që bartin një brand-name botëror. Gjatë vitit 2018 fokusi i Ministrisë do të jetë te përmirësimi i cilësisë së shërbimeve, nxitja e investimeve, konsolidimi i rrjetit të infrastrukturës, zgjatja e sezonit turistik dhe promovimi i Shqipërisë turistike. Në planin e masave për vitin 2018 që kemi hartuar parashihen veprime konkrete për shumë nga ministritë e shtetit, agjencitë, ndërmarrjet dhe bashkitë. Në planin tonë për një turizëm më cilësor gjatë vitit 2018 parashihen përmirësime në: shërbime shëndetësore, furnizim me ujë dhe energji, sinjalistikë turistike, trajtim të ujërave të zeza, dhe qasje e mobilitet të përgjithshëm”, u shpreh Çeku.

Edhe gjatë vitit 2018, zv/ministri Çeku tha se do të vazhdojnë të realizohen projekte të veçanta investive, përfshi ndërtimin e rrugëve për të lehtësuar qasjen në zonat turistike, ndërtimin e aeroporteve, restaurimin e monumenteve dhe revitalizimin e zonave të trashëgimisë kulturore, zhvillimin e kapaciteteve të reja për furnizim më cilësor me shërbime publike.

“Me interes të veçantë gjatë vitit 2018 do të jetë objektivi ynë për një Shqipëri më të pastër. Për këtë qëllim, tashmë disa muaj kemi mobilizuar të gjitha kapacitetet tona shtetërore që zonat turistike të jenë të pastra. Në të njëjtën kohë, me intensitet të theksuar po punojmë në realizimin e nismës për 100 fshatrat, ku agroturizmi përbën kryefjalën”, theksoi numri dy i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri.

Ndërkaq, Çeku foli edhe për planet e Shqipërisë me Kosovën, duke thënë se janë duke u përpjekur për organizimin e një ngjarjeje të përbashkët mes institucioneve dhe operatorëve turistikë të të dyja vendeve në Prishtinë.

Kjo, sipas tij, do të jetë mundësia që bashkërisht të diskutohen mundësitë dhe pengesat për bashkëpunim të rritur turistik mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Dëshirojmë që listën e veprimeve konkrete të na japin vetë operatorët dhe organizatat, në mënyrë që qeveritë tona të kryejnë detyrat që u takojnë për të krijuar një mjedis sa më të favorshëm të bashkëpunimit mes operatorëve. Në panairin turistik të Tiranës që mbahet në prill të këtij viti, Kosova do të jetë prezente si me operatorë ashtu edhe në nivel institucional. Gjatë panairit do të jemi mikpritës të një takimi dhe paneli të gjashtë ministrave të turizmit të rajonit tonë”, theksoi Çeku, ndërsa shtoi se tashmë janë duke u koordinuar me shtetet përkatëse që “ngjarja e Tiranës të na gjejë ne propozime dhe idealisht edhe produkte të gatshme të bashkëpunimit rajonal”.

“Kjo po besoj do të hapë edhe një dritare shumë të vlefshme mundësie për Kosovën që të fillojë të integrohet në tregjet rajonale dhe botërore të turizmit. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, jam i lumtur që ekzistojnë disa produkte ndërkufitare të turizmit dhe një bashkëpunim gjithnjë në rritje i operatorëve turistikë. Por, kemi obligim të angazhohemi më tepër për të intensifikuar këtë bashkëpunim, sepse mundësitë dhe potencialet i posedojmë, ndërsa së fundmi nuk mungon as vullneti i mirë”, tha zëvendësministri i Turizmit dhe Mjedisit në Qeverinë shqiptare, Hajrulla Çeku.