Opinion

Ambiciet botërore të Emmanuel Macron-it

Bernard Guetta

France Inter

Gjenerali de Gaulle kurrë nuk do të kishte ëndërruar për një situatë të tillë. Falë Brexit, nuk ka më një Mbretëri të Bashkuar, e cila të dëshirojë të ngadalësojë marshimin drejt Evropës politike. Një Francë e qëndrueshme politikisht, po gjendet kokë më kokë me një Gjermani, që nga ana e saj nuk mund të gjejë një mazhorancë, me një kancelare qartësisht të dobësuar.

Kjo do të ishte e mjaftueshme për t’i hapur një autostradë Francës, por ka edhe më shumë. Trump është kaq i prirur për të diskredituar rolin e tij, sa që Shtetet e Bashkuara po llogariten gjithnjë e më pak në skenën ndërkombëtare. I mbushur me anekdota dhe rrëfime konfidenciale shastisëse për vitin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, një libër thotë se as kandidati republikan, as familja e tij, nuk shpresonin dhe besonin në zgjedhjen e Trumpit.

Një ish-këshilltar i të djathtës ekstreme  akuzon djalin e tij, Trump Jr, për tradhti për faktin që kish rënë dakord të takohej, në zyrën e babait të tij, me një avokate, e cila i ofroi dokumente inkriminuese nga rusët, për Hillary Clintonin. E gjithë kjo konfirmon ndikimin e Rusisë, bashkëpunimin me disa nga figurat e saj dhe idenë se kandidatura e Trumpit ishte vetëm një marifet publiciteti, për të promovuar markën e familjes.

Gabime skandaloze

Dhe çfarë bën presidenti i Shteteve të Bashkuara? Favorizon promovimin e librit duke kërkuar ndalimin e tij. Për të mos e besuar, por ende nuk është asgjë përpara akumulimit të gabimeve të mëdha, të bëra nga Trumpi gjatë ditëve të fundit.

Pasi kishte deklaruar se kishte “butonin bërthamor më të madh”, se sa ai i presidentit të Koresë së Veriut, dhe pasi reagoi me përbuzje ndaj shpalljes së një dialogu mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut, ai më vonë pohoi se është mbështetës.

Për më tepër, pasi ka izoluar si kurrë më parë Shtetet e Bashkuara me njohjen Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, ai ka kërcënuar se do të ndërpresë ndihmën e SHBA për palestinezët, fajtorë se kritikuan vendimin e tij.

Ai lëvizi si një elefant në dyqanin iranian të qelqurinave, dhe i ndërpreu ndihmat Pakistanit, një aleat kyç i SHBA në Azinë Juglindore, rajon tejet delikat.

Trump po e mëson botën me idenë se mund të jetohet pa mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara. Është një situatë e pashembullt që nga fundi i Luftës së Parë Botërore. Emmanuel Macron e shfrytëzoi këtë hendek, duke u shfaqur si arbitër dhe moderator i të gjitha konflikteve. Më 4 janar ai njoftoi se më 11 nëntor do të mbledhë tetëdhjetë krerë shtetesh në Paris, për të diskutuar për ruajtjen e paqes dhe demokracisë.

Është shumë, ndoshta edhe tepër. Fakti mbetet se bota është më shumë se e gatshme të dëgjojë Macronin, sepse Franca ka mbetur Francë dhe sot përfaqëson Evropën. / France Inter – Bota.al