Shëndetësi

Agjërimi i kohëpaskohshëm zgjat jetën dhe ndikon në produktivitet

Një studim i ri i kryer në Universitetin e Harvardit, tregon se agjërimi i kohëpaskohshëm mund ta mbajë trupin më të ri, ta zgjasë jetën dhe ta përmirësojë shëndetin e përgjithshëm.

Shkencëtarët theksojnë se forma të ndryshme të agjërimit mund të ndikojnë në një sërë faktorësh, nga humbja e peshës e deri tek rritja e produktivitetit.

Studiuesit zbuluan se dieta e përkohshme kufizuese i mbanë mitokondritë, të cilat janë një pjesë e rëndësishme e qelizës për plakje, në homeostazë, gjë që ndihmon në zgjatjen e jetëgjatësisë, transmeton koha.net.

Agjërimi kohët e fundit është shumë i popullarizuar edhe në mesin e personave të famshëm si Benedict Cumberbatch, Beyonce dhe Silicon Valley. Shkencëtarët i theksojnë aspektet pozitive të “dietës 5:2”, e cila i përfshin shprehitë normale ushqyese pesë ditë në javë dhe ulje dramatike të konsumit të ushqimit dy ditët e fundit.

Në Universitetin Newcastle vitin e kaluar është kryer një studim i cili e konfirmoi rolin kyç të mitokondrisë në plakjen e qelizave njerëzore, dhe kështu edhe plakjen e trupit tonë. Mitokondritë i shpërbëjnë karbohidratet dhe acidet yndyrore, i japin qelizës energji, që është arsyeja se pse quhen shpesh “fuqia” e qelizave tona. Hulumtuesit, pas agjërimit në kafshë, vunë re se qelizat ishin më të reja, pa praninë e mitokondrive më të vjetra.

Studimi i ri nga Harvardi u bazua në këtë pohim dhe u zbulua se mitokondritë mbeten në homeostazë nëse konsumuesi mban dietë të kohëpaskohshme të kufizuar. Shkencëtarët, gjithashtu, zbuluan se agjërimi i kohëpaskohshëm ndihmon në koordinimin e aktiviteteve të mitokondrive me peroksizome, pjesë të tjera të qelizave që kanë efekt antioksidant dhe që kontribuojnë në jetëgjatësi.